Mbyllja e hapja e pikave kufitare, vizita e Lajçak, dështimi i madh i Kosovës në futboll: Ngjarjet kryesore të javës
Edhe kjo javë është karakterizuar me ngjarje të shumta, të cilat shënuan fillimin e muajit shtator. Duke nisur nga zhvillimet politike, tensionet afër pikave kufitare të krijuara nga grupet ekstrimiste serbe, e deri te sporti ku kombëtarja e Kosovës dështoi tmerrshëm në ndeshjen ndaj Rumanisë.
Vizita e Lajçak
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndroi gjatë javës në Kosovë.
Në takimin e Lajçak me Bislimin u diskutua edhe për hapjen e Urës së Ibrit, për të cilën Lajçak thotë se duhet të hapet, por me koordinim me aleatët e ngushtë të Kosovës.
“Kemi diskutuar dhe për çështjen e Urës së Mitrovicës, për hapjen e saj për transport, mendimi i Bashkimit Evropian besoj që tashmë është i ditur, por do ta përsëris, duhet të hapet, po të hapet në koordinim më partnerët e ngushtë të Kosovës”.
Lajçak para medieve foli edhe për marrëveshjen e Ohrit.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia”.
Hapja dhe mbyllja e pikave kufitare
Për ditë me radhë, grupe të organizuara ekstremiste serbe paralajmëruan mbylljen e pikave kufitare me Kosovën.
Pavarësisht se u zotuan se do të jenë në secilën pikë mbi 400 vetë, ky plan dështoi. Zgjati rreth 24 orë.
Në ditën e parë kur nisi ndalja e qytetarëve të Kosovës nëpër pika kufitare, u mbyllën tri të tilla: pika në Jarinje, Bërnjak dhe Merdar.
Një familje nga diaspora ishte ndaluar nga persona të maskuar.
Pasditen e së shtunës, rreth orës 17:00 janë rihapur për qarkullim Pikat Kufitare në Mërdare dhe Bërnjak, ndërsa më herët u kthye normaliteti edhe në pikën doganore të Jarinës.
Ato ishin mbyllur që nga e premtja pas bllokadës së rrugëve afer këtyre pikave kufitare në territorin e Serbisë nga disa shoqata serbe.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Pas njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, njoftoi Sveçla.
Qeveria në Kosovë ka kritikuar institucionet e Serbisë për bllokadën, duke deklaruar se synojnë të krijojnë tensione në rajon.
Dështimi i madh i Kosovës
Në stadiumin me mbi 13 mijë persona, me entuziazëm për nisjen e një cikli të ri, Kosova sërish dështoi.
Madje, duke u mposhtur keq nga Rumania me rezultat 0-3. Rumunët ishin dukshëm më cilësor, duke marrë kryesimin e grupit dhe duke e bërë tashmë pothuajse të pamundur mundësinë e Kosovës për pozitën e parë.
Kjo pasi dy kundërshtarët e tjerë, janë më të lehtë në letër, e që rumunët pritet t’i kalojnë pa probleme.
Humbja nga Rumania ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.