“Mashtrimet nëpërmjet internetit” Policia apelon qytetarët për kujdes
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan, ka lëshuar një komunikatë për media me anë të së cilës apelon qytetarët që të kenë kujdes në ekspozimin e të dhënave persnale dhe bankare, meqenëse rastet e mashtrimeve përmes internetit janë shtuar.
Policia gjithashtu ka dhënë disa këshilla se si të veprohet, në raste kur qytetarët japin kode të hyrjes në llogaritë e rrjeteve sociale, postes elektronike si dhe programeve të tjera, të cilat mund të interferojnë në kodet e sigurisë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Mbrojtje nga mashtrimet përmes internetit
Gjilan, 16 shkurt 2023
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan ngre shqetësimin se ka një rritje të numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit përgjatë kohëve të fundi ku së paku kemi të raportuar tri raste të mashtrimit të kësaj natyre ku qytetarët janë mashtruar me shuma të konsiderueshme të parave. Me këtë rast informon qytetarët dhe subjektet private se nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme por edhe evidentimin dhe kapjen e autorëve për rastet e ndodhura.
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan kërkon dhe bënë apel tek qytetarët, subjektet afariste të bëjnë kujdes për sa i përket ekspozimit të dhënave të tyre personale e bankare në mjediset e jetës së përditshme, por edhe kur merrni kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodheni duke kërkuar në internet të mos bini pre nga mashtrimeve të ndryshme të cilët kanë qëllim vjedhjen apo manipulimin e fondeve tuaja nga llogari bankare dhe formave të tjera.
Në rast se merrni kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme, duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi nëse llogaria i përket vërtetë personit tek i cili dëshironi të bëhet destinimi.
Po ashtu duhet të bëni kujdes edhe gjatë dhënies së kodeve të hyrjes për llogaritë e juaja të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë.
Duke shpresuar se do të gjejmë mbështetje të plotë nga ana e qytetarëve, mediave por edhe subjekteve private, sugjerojmë të mos neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo evidentuar nga ana e juaj, duke u drejtuar në mënyrë të menjëhershme në policinë e Kosovës.