Martesat dhe bashkësitë civile të seksit të njëjtë: Çka janë dhe çka dallojnë?
Dje tërë ditën në Kuvendin e Kosovës u diskutua për Projekt-kodin Civil. Në fakt debati ashtu siç pritej u rrudh në dy fjali: “martesa” dhe “bashkësitë e regjistruara civile”.
Zaten, ky është debat i madh në mbarë botën. Por, pse debatohet kaq shumë për këto dy fjali? Cili është dallimi mes martesës dhe bashësisë civile? Dhe si është e rregulluar në vendet e civilizuara kjo e drejtë qytetare?
Sqarim: Projek-kodi që s’u votua dje, nuk do t’i mundësonte martesat e të njëjtit seks. Madje as bashkësitë e regjistruara civile. Por do të hapte rrugë për një ligj të veçantë që do ta mundësonte këtë të fundit.
Në Projekt-kodin civil që s’i mori votat e deputetëve, definicioni i martesës është ky:
“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar.
Kurse për bashkësitë e regjistruara civile nuk jepet ndonjë sqarim, vetëm tregohet se lejohen dhe se do të rregullohen me ligj të veçantë:
“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”. Pra, dy terme të ndryshme. Por ku qëndron dallimi dhe si është e rregulluar kjo e drejtë civile në botë?
Për martesën, të gjithë dimë diçka duke qenë se jemi vetë, kemi prindërit, ose kemi të afërm që janë të martuar.
Dallimi thelbësor mes martesës dhe bashkësisë konsiston në faktin se këto dy institute nuk krijojnë të drejta dhe detyrime të njëjta.
Për shembull, në martesë paguani taksa të përbashkëta me bashkëshortin, përfitoni sigurime shoqërore, shëndetësore të përbashkëta, mund të paraqisni kërkesë vize për emigrim, mund të adoptoni fëmijë në kushte të caktuara. Bashkësitë civile nuk i kanë të sigurta këto të drejta, ato rregullohen me ligje të veçanta nëpër shtete të ndryshme dhe zakonisht nuk i përfshijnë të drejtat e lartcekura.
Prandaj organizata të ndryshme që avokojnë të drejta të komunitetit LGBTQI+ dhe të Drejta të Njeriut në përgjithësi, e shohin si problem dallimin që shtetet e bëjnë duke vendosur në kodet e tyre civile terma të tillë si bashkësi civile, sa i përket çifteve me seks të njëjtë, dhe martesë, atyre me seks te kundërt.
Si është e rregulluar kjo çështje në SHBA dhe vendet e tjera europiane?
Debati në botë për këtë çështje është i vjetër e i vazhdueshëm. Qysh nga dalja në skenë e lëvizjeve të para që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTQI+, ky kontest juridik e debat filozofik u shtrua në shumë rrafshe. Që në fillimet e saj të hershme, si përkrahësit ashtu edhe kundërshtarët e martesës së të njëjtit seks, kanë pohuar argumente të diskutueshme në lidhje me përkufizimin, zbatimin dhe ligjshmërinë e martesës, ashtu siç zbatohet për burrat dhe gratë e të njëjtit seks.
Në SHBA, ashtu siç u tentua dje në Kuvend të Kosovës, kjo çështje ishte e rregulluar me termin bashkësi e regjistruar civile, çka ka ngjallur debat të vazhdueshëm në kampin liberal
Për këtë shkas merrej një vendim Gjykate i vitit 1972 që njihet si rasti i Bakerit kundër Nelsonit.
Por kthesën më domethënëse në lidhje me këtë çështje, pra lejimin e martesave të çifteve të të njëjtit seks, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga instituti i martesës, e dha Gjykata e lartë e SHBA-së në vitin 2015, në rastin e njohuri si rasti Obergefelli kundër Hodges.
Më 26 qershor 2015, Gjykata e Lartë e SHBA-së dha një vendim historik në çështjen Obergefell kundër Hodges, duke pranuar se çiftet e të njëjtit seks kanë qasje në të njëjtat të drejta martese si homologët e tyre të seksit të kundërt në të gjithë vendin. Të gjitha ligjet e shtetit që ndalonin martesat e të njëjtit seks u anuluan nga vendimi i Gjykatës.

Në Evropë
Më 1 tetor 1989, për herë të parë, disa çifte homoseksuale në Danimarkë i kurorëzuan lidhjet e tyre në bashkësi civile, të cilat ndërkohë i dhanë marrëdhënieve të tyre status ligjor, por që nuk arritën të martoheshin plotësisht.
Ishte Holanda e para që lejoi për herë të parë martesat e homoseksualëve, me të drejta të plota në prill të vitit 2001.
Që atëherë, 16 vende evropiane e kanë ndjekur shembullin në pranimin e martesave të homoseksualëve: Austria, Belgjika, Britania, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Portugalia, Spanja, Suedia dhe së fundi Zvicra.
Rasti i Zvicrës
Edhe në vendin helvetik kjo çështje është përcjellë me debat të vazhdueshëm, duke përparuar nga viti në vit. Në vitin 2005 atje u mbajt një referendum, për ta lejuar bashkësinë e regjistruar civile dhe i mori votat e mjaftueshme nga populli zviceran. Për herë të parë mund të themi, “shyqyr” që shqiptarët nuk ishin komunitet shumicë. Ligji filloi të zbatohej nga 1 janari i vitit 2017.
Por, ashtu si në SHBA e sikur në shumicën e vendeve demokratike, kjo çështje nuk u përmbyll me kaq. Lëvizjet që avokojnë për të Drejta të Njeriut në Zvicër nuk e kanë parë të mjaftueshëm legalizimin e bashkësisë civile, duke e parë atë si reduktim, dhe kanë kërkuar që çiftet e të njëjtit seks të mund të martohen me te drejta të plota. Për këtë punë zviceranët iu drejtuan kutive të votimit edhe një herë. Më 26 shtator 2021 referendumi për lejimin e martesave të çifteve të të njëjtit seks rezultoi me 64.1% të votave në favor të këtij ligji. Martesa e të njëjtit seks me të drejta dhe detyrime të plota në Zvicërr do të jetë e ligjshme nga 1 korriku 2022.
Vende të tjera evropiane që lejojnë vetëm statusin e bashkësive civile ashtu siç u propozua në Projektkodin civil të Kosovës janë: Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Italia dhe Sllovenia. Kjo e fundit i refuzoi martesat e të njëjtit seks në një referendum të mbajtur në vitin 2015.

As martesë e as bashkësi civile për LGBTQI+
Në Evropë ende ka shtete që këtë çështje nuk e kanë të rregulluar dhe nuk i njohin si institute as martesën e as bashësinë civile për çifte të të njejtit seks. Vende si: Bjellorusia, Bullgaria, Gjeorgja, Letonia, Lituania, Moldavia, Rusia, Serbia, Sllovakia dhe Ukraina bëjnë pjesë në këtë listë të shkurtër të vendeve evropiane.
Kujtojmë se Projekt-kodi që kishte synim hapjen e rrugës për bashkësi civile të çifteve me seks të njëjtë, nuk mori votat e deputetëve, madje as të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm 28 deputetë votuan pro kundruall 28 kundër dhe me të tjerët që nuk votuan fare.
