Marrëveshjet ndërkombëtare - Kuvendi mban sot seancë dhe ka votat e PDK-së - NACIONALE

Marrëveshjet ndërkombëtare - Kuvendi mban sot seancë dhe ka votat e PDK-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për seancën e radhës. Kjo seancë do të jetë e veçantë pas takimeve që pati kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Nga PDK-ja kanë konfirmuar se do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare që deri dje nuk i votonin. Ndërkohë, LDK-ja e AAK-ja që s’morën pjesë në takim me Kurtin, kishin votuar për marrëveshjet ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës pritet që sot të mbajë një seancë që mund të mbetet gjatë në kujtesën e legjislativit. Seanca do të fillojë në ora 10:00.

Krejt kjo për shkak të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilët kanë qenë të bllokuara tash e sa kohë.

Sot këto marrëveshje mund të votohen për shkak se PDK-ja ka pranuar të votojë për to.

Lajmi është konfirmuar nga kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza.

Ai para mediave, të enjten falenderoi kryesinë e partisë dhe grupin parlamentar që përkrahën qëndrimin e tij në lidhje me votimin e këtyre marrëveshjeve.

“Sot këtu jam para juve në kapacitetet e kandidatit për kryeministër nga PDK. Jam për të shprehur qëndrimin e PDK-së, falenderoj kryesinë dhe grupin parlamentar që kanë përkrahur qëndrimin tim të bërë publik para shumë kohe në mënyrë publike për votimine marrëveshjeve ndërkombëtare. PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.” – ka thënë ai.

Nga ana tjetër, deri më sot, LDK-ja e AAK-ja kishin deklaruar se do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Megjithatë mbetet të shihet sot nëse këto parti nuk kanë ndërruar qëndrim, pasi janë shprehur kundër takimeve me kryeministrin Kurti, teksa kanë akuzuar PDK-në për marrëveshje me të.

Ndërkohë më poshtë mund të gjeni rendin e ditës së Kuvendit:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 maj 2024:

1. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
6. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
12. Votimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
13. Votimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,
14. Votimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,
15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-276 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrat,
18. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-283 për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin nr. 05/L-087 për kundërvajtje,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
20. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
21.Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Komunikimet Elektronike dhe Postare, për vitin 2022,
22. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarura të Mediave.

Lajme të ngjashme