Marrëveshje realiste apo ato sirtari? - NACIONALE

Marrëveshje realiste apo ato sirtari?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga viti 2014 kanë nisur mbledhjet e përbashkëta mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Herë në Tiranë e herë në Prizren, herë në Gjakovë e herë në Elbasan janë mbajtuar takimet, nga ku janë nënshkruar afër 100 marrëveshje.

Janë grumbulluar dokumente me marrëveshje të nënshkruara në sektorët e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë e sigurisë. Por që duket se marrëveshjet më shumë po bëhen për sirtar, ose zbatimi i tyre zhagitet, apo nuk zbatohen plotësisht.

Nesër do mbahet mbledhja e ardhshme mes dy qeverive, në një kohë kur marrëdhëniet mes palëve s’janë aspak të mira. Pavarësisht kësaj, kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit ishte më shumë ishte i interesuar tek ‘‘cilësia e zbatimit’’ se sa sasia e pikave të marrëveshjeve, sepse “ato janë me rëndësi sa ekonomike, aq edhe historike”.

Nga mbledhja e fundit mes dy qeverive, 26 nëntor 2022, u nënshkruan edhe 13 marrëveshje tjera. Bile, për disa prej tyre, optimizmi ishte i madh se do zbatoheshin brenda pak muajve.

Një prej pikave më të rëndësishme nga mbledhja e mbajtur në Elbasan ishte hapja e pikave të përbashkëta kufitare në Shishtavec (Kukës) e Krushevë (Dragash). Pikat kufitare janë hapur, por që s’kanë përkuar me kërkesën e dy kryeministrave.

Kryeministrat Kurti e Rama kishin shkuar një hap më tej.

Ministrat e tyre të mbrojtjes, gati njëzëri, thanë se shefat u kanë kërkuar që të përgatiten për të hequr kufirin dhe të mundësohet kalimi i qytetarëve pa nevojën e leternjoftimit a pasaportës.

‘‘Po hiqeni more atë, hiqeni’’, thoshte me përbuzje kryeministri Edi Rama për traun e kufirit.

Ama duket se trau i kufirit doli fitimtar karshi përbuzjes e dëshirës historike, së paku edhe për këtë verë.

Pika e marrëveshjes e shtyer nga dy kryeministrat, e kumtuar me buzëqeshje nga vartësit e tyre, duket se ka ngecur mes procedurave burokratike. Edhe së paku këtë verë, kosovarët për pushime verore e shqiptarët për DokuFest duhet të kenë letërnjoftimin me veti.

S’ka kryeministër të dy vendeve, a vartës të tyre, që se kanë përmendur heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. E gjtha që është arritur ka qenë kalimi i kufirit me rastin e ndonjë feste kombëtare.

Një pikë tjetër për të cilën u morrën vesh dy qeveritë është ‘‘Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022’’, pikë që s’është zbatuar plotësisht nga dy qeveritë.

Një pikë e marrëveshjes ishte edhe fillimi i procedurave të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Vetëm ditën e djeshme, ministri Liburn Aliu shkruante në Facebook, rreth fazëz në të cilën gjendet projekti.

‘‘Është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë’’, shkruante kreu i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës më 18 qershor, dy ditë para se të mbahet mbledhja e rradhës mes dy qeverive.

Për projektin multimilionësh veç tash janë ndarë mjetet financiare dhe atë vetëm për studimin e fizibilitetit.

Pavarësisht kësaj, janë disa marrëveshja që deri para pak muajve kanë gjetur zbatim të plotë. Tashmë ka nisur zbatimi i marrëveshjes për lehtësime të ndërsjellta në procedurat doganore, pastaj lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Po ashtu, kanë nisur të zbatohet edhe marrëveshja për sigurimet shoqërore mes dy shteteve, si dhe tashmë është e zbatueshme dhe marrëveshja për bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.

Mirëpo, janë një mori marrëveshjesh që ka vite që mbesin nëpër sirtarët e dy qeverive dhe presin që të zbatohen.

Ndërkaq, më poshtë gjeni edhe agjendën e takimit të nesërm:

11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë - Shqipëri

Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”

Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës - Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.

12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave



Lajme të ngjashme