Marrëveshja për targat, presidentja Osmani injoron Borrellin, falënderon Hovenierin e ShBA-të - NACIONALE

Marrëveshja për targat, presidentja Osmani injoron Borrellin, falënderon Hovenierin e ShBA-të

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kanë nisur edhe reagimet e para lidhur me arritjen e marrëveshjes për targat mes Serbisë e Kosovës, të njoftuar pak më parë nga kryediplomati evropian Joseph Borrell.

E menjëherë pas njoftimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh falënderuese ndaj ambasadorit Hovenier e qeverisë së ShBA-së.

“Dua të falënderoj ambasadorin e ShBA-së në Kosovë Jeff Hovenier dhe Qeverinë e ShBA-së, për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse,” ka shkruar Osmani.

Megjithatë, në shkrimin e saj falenderues në Twiiter, Osmani ka injoruar komplet Borrell-in nga i cili edhe u njoftua arritja e marrëveshjes.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell, duke dhënë edhe disa detaje nga marrëveshja.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", thuhej më tej në njoftimin e tij.

Lajme të ngjashme