Marrëveshja Bazë në Kapitullin 35 për Serbinë: S’ka lëvizje në BE, Hungaria pengesë
Shumë prej zyrtarëve ndërkombëtarë, në vazhdimësi e kanë përmendur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin implementues (Ohrin), si kusht për Kosovën dhe Serbinë, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Para dy mujash, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së, patën dorëzuar propopozime për ndryshimin e kushteve nga kapitulli 35 i kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëratësimit me Serbinë.
Pika kryesore e porpozimit, ishte që Marrëveshja me Kosovën, të përfshihet në kapitullin 35 si kusht specifik për anëtarësimin e Serbisë.
Radio Evropa e Lirë, ka mësuar mes burimeve të veta, se ka dallime mes vendeve anëtare sa i përket propozimeve.
REL raporton se Presidenca belge po bën përpjekje për tejkalimin e dallimeve.
Burimet diplomatike që REL i ka në BE pohojnë se gjatë muajin prill kjo çështje do të diskutohet nga ambasadorët e BE-së në COREPER, që është Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në BE.
Në takimin e fundit në muajin dhjetor të vitit 2023, vendet anëtare kishin kërkuar nga Komisioni Evropian që më së voni deri në fund të muajit janar të këtij viti, të dorëzojnë propozimin për ndryshimin e kornizës negociuese për Serbinë.
Dy ditë pasi kishte skaduar ky afat, në fillim të muajit shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së kishin dorëzuar propozimin e tyre.
Vonesat në propozimin e Komisionit kishin ardhur, sipas burimeve diplomatike në BE, për shkak të përpjekjeve të komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, për të penguar këtë propozim. Hungaria, vend nga i cili vjen ky komisionar, sipas burimeve diplomatike, vazhdon të jetë ndër vendet anëtare që pengojnë miratimin e këtyre ndryshimeve në Këshill të BE-së.
Kapitulli i 35-të i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera”, nuk ka të bëjë me legjislacionin e BE-së, por në këtë kapitull vendosen gjërat specifike që kërkon BE-ja apo ndonjë vend anëtar. Në rastin e Serbisë ai përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën.
Për mungesë të përparimit në zbatimin e obligimeve BE-ja e ka qortuar edhe Kosovën, madje edhe duke vendosur masa restriktive ndaj saj. Këto masa janë ende në fuqi.
Para pak ditësh, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i kanë bërë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.
“Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja... Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.