Maliqi: Synimi i VV-së duket të jetë kontrolli i plotë i çdo institucioni
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi ka thënë se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje duket të jetë që ta ketë nën kontroll të plotë çdo institucion.
Në një shkrim në Facebook, ai ka folur për afatin 60 ditësh që të sigurohet pa ndërprerje vazhdimësia institucionale e kreut të shtetit.
Ai ka thënë se me këtë logjikë procedurale, partia e parë përmes kreut të Kuvendit, mundert ta mbajë peng presidencën me ushtrues detyre.
“Nuk jam jurist, dhe Gjykata Kushtetuese do ta sqarojë këtë gjë. Por nuk e kuptoj se si mundet data e fillimit të procesit 60 ditësh të ketë më shumë peshë se afati shumë specifik për zgjedhjen e presidentit. Afati ekziston për një arsye madhore: që të sigurohet pa ndërprerje vazhdimësia institucionale e kreut të shtetit. Procesi është mjet për arritjen e këtij synimi. Me këtë logjikë procedurale, partia e parë - të cilës automatikisht i takon kreu i Kuvendit - mundet pafundësisht ta mbajë presidencën peng me ushtrues detyre. Gjë që edhe duket të jetë synimi i kësaj partie që nuk do të ndalet deri sa ta ketë nën kontroll të plotë çdo institucion, prej shoqatës së gjuetarëve e deri te bashkësitë lokale” – ka shkruar Maliqi.