Abdixhiku i mbijeton votëbesimit në Kuvend – mbetet kryetar i LDK-së
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës rikonfirmoi besimin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke refuzuar dorëheqjen e ofruar prej tij. Ky vendim vjen pas rezultatit të vështirë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, i cili shënoi nivele të krahasueshme me pikën më të ulët historike të partisë në vitin 2021.
Në procesin e votëbesimit, i cili u zhvillua me votim të fshehtë, 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 u shprehën pro saj. Me këtë rezultat, kreu i LDK-së mori mbështetjen e rreth 54 për qind të delegatëve për të vazhduar drejtimin e partisë.
Abdixhiku, në fjalimin e tij para delegatëve, e kishte ofruar dorëheqjen për shqyrtim nga Kuvendi i partisë, duke kërkuar që përmes votëbesimit të përcaktohej drejtimi i mëtejmë politik i LDK-së dhe pozicioni i tij si kryetar.
“Me përgjegjësi të plotë morale dhe politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për ta shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur atë si detyrim moral. Nuk e bëj këtë për të krijuar krizë, por për ta sqaruar drejtimin që na duhet përpara. Nuk e bëj këtë për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar rreth vendimit më të lartë të saj. Prandaj ju pyes, çfarë dëshironi të bëni me mua si Kryetar, dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni, unë do ta respektoj me qetësi, dinjitet dhe besim. Sepse besoj te kjo sallë. Besoj te ky Kuvend. Besoj te pjekuria politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi ndër të tjera Abdixhiku.
Anëtarja e Kryesisë Hykmete Bajrami doli hapur kundër vazhdimit të udhëheqjes së kësaj partie nga kryetari aktual Lumir Abdixhiku edhe në mbledhjen e Kuvendit të kësaj parite, duke rikujtuar se rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 është i painjorueshëm dhe se për të njëjtin duhet të ketë përgjegjësi konkrete politike.
Bajrami kujtoi se ishte e vetmja që i ka kërkuar publikisht dorëheqjen kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas humbjes së fundit zgjedhore.
“Jam e vetmja që i kam kërkuar publikisht kryetarit dorëheqjen pas rezultatit të 28 dhjetorit, rezultat i cili nuk mund të injorohet. Kam ofruar edhe dorëheqjen time”, ka thënë Bajrami gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, ku po vendoset për ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut.
Në vijim të fjalës, ajo ka kujtuar mënyrën se si Isa Mustafa kishte vepruar pas humbjes historike të vitit 2021, duke e vendosur atë si standard të përgjegjësisë politike brenda LDK-së.
“Asnjëri nga ju nuk e përmendi faktin se si ka ardhur deri te marrja e mandatit të kryetarit Abdixhiku. Ka pasur një rezultat të rëndë zgjedhor në vitin 2021; Isa Mustafa e ka marrë përgjegjësinë, jo vetëm duke thënë se e merr përgjegjësinë, por ka dhënë dorëheqje duke mos kërkuar që dorëheqja e tij të votohet, ka shkuar në shtëpi dhe ne delegatët i kemi vazhduar punimet dhe kemi zgjedhur kryetarin e ri”, tha ajo.