Lulzim Hetemi: Me t’20-tin ndoshta po ecim - NACIONALE

Lulzim Hetemi: Me t’20-tin ndoshta po ecim

4 muaj më parë

nga NACIONALE

"Kështu që unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”. Rreth nëntë muaj pas deklaratës virale të kryeministrit Albin Kurti, rreth lëshimit të perit ose jo nga kryetari i Leposaviqit, z.Lulzim Hetemi, ky i fundit tani thotë se ‘me të 20-tin nashta po ecim’…

Me vendosjen e kryetarëve të komunave të veriut nëpër zyre, bujë më të madhe do të bënte Lulzim Hetemi, kryetar i Leposaviqit. Ai do të qëndronte i ngujuar në zyrë, për muaj me radhë.

Disa javë më pas, kryeministri Albin Kurti, do ta tregonte një bisedë telefonike me të, ku veç tjerash, theksin do ta vendoste te ‘lëshimi i perit’.

“E thirra në telefon edhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe ndodhi diçka interesante, se për të thënë të drejtën, kur e thirra, kisha një çikë brenge se mos është mërzitur aty se u bënë shumë javë. Por, unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë.

Kështu që unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Nëntë muaj pas kësaj deklarate dhe rreth një vit pasi mori postin e kryetarit të komunës, z.Lulzim Hetemi thotë se me ‘të 20-tin nashta po ecim’.

Këtë deklaratë, z.Hetemi e ka dhënë për televizionin ATV, kur mediumi e pyet se pse nuk e ka deklaruar pasurinë, në afatin kohor të parashikuar me ligj.

“O pasha nerën, zaher s’kanë ditë këto çikat. A ka mundësi qitash me deklaru? Veç për qata edhe referendum është me të 20-tin, ndoshta ecim se për kurgjo tjetër”, thotë Hetemi.

Lidhur me pyetjen e z.Hetemi se ‘a ka mundësi qitash me e deklaru’, nuk kemi arritur ta kuptojmë a donte t’ia deklaronte AKK-së (Agjencisë Kundër Korrupsionit) apo ATV-së (Televizionit).

RIKUJTOJMË: Për referendumin e çvotimit të katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar buxhetin prej 233 mijë euro për organizimin e këtij procesi, i cili mbahet më 21 prill pas konfirmimit të 20 përqind të nënshkrimeve të peticionit të nisur nga serbët veriorë.

Në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro”, tha Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së.

Njoftimi i KQZ-së:

Në mbedhjen e sotme, KQZ mori vendim për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Sipas vendimit të KQZ-së, aktivitetet kryesore për organizimin e këtij procesi, i referohen afatit prej 44 ditësh dhe janë si në vijim:

1. Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill 2024;

2. Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;

3. Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;

4. Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve bëhet më 17 mars 2024;

5. Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill 2024;

6. Pblikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 16 mars 2024;

7. Periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës fillon më 18 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;

8. Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill 2024;

9. Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;

10. Certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se 9 prill 2024;

11. Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024;

12. Aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill. dhe përfundon më 18 prill 2024;

Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro.

Lajme të ngjashme