'Betejë zëdhënësish': Kryeziu me shpjegime pse sanksionet duhet hequr, Stano i prerë se "vendos BE, jo ju"
Të ashtuquajturat masa ndëshkuese (fjali e përzbutur për sanksione) hiqen kur vendosin vendet anëtare të Bashkimit Evropian – njëzet e shtatë prej tyre – e jo politikanët kosovarë, ka thënë prerazi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për kush-e-di-të-satën-herë edhe sot.
Kërkesë për heqjen e masave ndëshkuese ka bërë sërish Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe ditën e sotme; kërkesë kjo ditë e më e madhe pas mbajtjes së referendumit të dështuar në pjesëmarrje për largim të kryetarëve shqiptarë me legjitimitet skajshmërisht të pakët në katër komunat veriore.
Zëdhënësit të BE-së iu kundërvu me një ‘shpjegim’ zëdhënësi i Kurtit me krahasime të stërjthjeshtuara; argumentativisht edhe të drejtuara për audiencë të brendshme e jo për BE-në; e cila është ajo që i ka vendosur këto masa dhe e cila duhet bindur.
“Rasti është shumë i thjeshtë”, ka shkruar Kryeziu, duke jehuar një diposnim ‘lufte zëdhënësish’ me Stanon, duke i thënë se masat e BE-së janë vendosur për arsye përshkallëzimi, gjë që, sipas Kryeziut, nuk qëndron më.
Por, vetë Stano hiç më larg se sot tha se masat ndëshkuese (sanksionet gjuhësisht të përzbutura) nuk janë vendosur veç për një arsye, por për disa sosh.
“Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”, ka shtuar ai.
“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës”, ka vazhduar Stano.
Kryeziu? Krejt diçka tjetër teksa ka provuar të jep shpjegim dallues përmes disa fotove: në njërën anë huliganët serbë që sulmonin KFOR-in para objektit të Komunës së Zveçanit në fund të majit të vitit të kaluar, ndërsa tash Lulzim Peci duke hyrë-e-dalë pa therrë në këmbë.
“Rasti është shumë i thjeshtë. Bashkimi Evropian i ka vendosur masa Kosovës sepse e ka fajësuar atë, padrejtësisht, për eskalimin e situatës që shihet në foton e parë (maj 2023). Ndërkaq, në foton e dytë, mund të shihet Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, pranë të njëjtës ndërtesë duke lëvizur i papenguar (prill 2024). Është e qartë që deeskalimi ka ndodhur. Prandaj është po aq e qartë që masat ndaj Kosovës duhet të hiqen”, ka shkruar Kryeziu.
Jo rrallëherë Peter Stano ka qenë sulmuar edhe nga akterë të pushtetit të cilët ia lakonin emrin me “Petar”; kësisoji duke ia serbizuar ose rusizuar emrin; dikujt që thjesht përçon qëndrime të BE-së e jo opinione të veta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Ministrot për Integrim Evropiane ka kërkuar heqjen e masave, duke i vlerësuar përveç të padrejta, edhe të panevojshme.
“Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialog të reformave të BE-së. Në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, ka deklaruar Kurti.
Radio Evropa e Lirë ditë më parë duke raportuar përmes burimeve diplomatike ka shkruar se shumica e vendeve të BE-së janë në favor të heqjes së masave ndëshkuese, por se “janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”.