"Luftë hibride; montim; tendencë": Qysh e mbrojtën Kurti e Haxhiu Kusarin për përgjimet?
Gjatë dy ditëve të fundit, nuk janë ndalur për asnjë çast reagimet rreth audio-incizimit të bisedës miqësore mes Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së dhe Slavko Simiq, ish-deputet i Listës Serbe. Aty u konfirmua biseda e Kusarit me Milan Radojiçiqin, i sanksionuar nga ShBA-ja, dhe “marrëdhënia e partneritetit” mes Listës Serbe dhe VV-së. Në mbrojtje Kusarit i ka dalë pushteti, dhe atë kupola e pushtetit. Arsyetimet e tyre ishin qesharake e banale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mbrojti Kusari-Lilën. Në mbrojtjen e tij, Kurti e bëri një interpretim instrumentalist, duke thënë se Kusari, si shefe e grupit parlamentar, e ka për detyrë t’i mbledh votat e ta krijojë shumicën. Tutje, Kurtit i erdhi mërzi nga interpretimet e gazetari Berat Buzhala. Çuditërisht, njeriu (pra Kurti) që e krijoi karrierën politike mbi interpretime, tash i pengojnë interpretimet.
"Së pari, shefja e grupi parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka intepretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vetë për atë që mendojnë e që qartazi është një incizim që është i gjymtuar i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të. Shefja grupit tonë paralametar natyrisht që jo vetëm që komunikon jo vec që bashkëbisedon me shefat e grupeve tjera paralamentare por ajo e ka për detyrë për çdo projektiligj të përpiqet që të sigurojë vota.” - deklaroi Kurti para medieve në vënien e gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.
E pastaj Kurti e bëri edhe një interpretim më banal, duke e lidhur publikimin e përgjimeve me “luftën hibride të Serbisë ndaj Kosovës”, duke kërkuar kujdes.
“Unë as që kam komunikuar e takuar ndonjë herë me personin në fjalë. Ju lus që te keni kujdes sa i përket kësaj lufte hibride e cila bëhet nga Serbia kunder shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratike në Kosovës, janë duke u përplitur si autokraci që janë në shtetin fqinjit tonë veriore e po përpiqen me xhirime, me incizme, me insinuata të ndryshme të shkaktojnë konfuzion te opinioni publik në në Kosovë mirëpo populli jonë është demokratik dhe i qëndrueshëm” – shtoi Kurti.
Ndërsa Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, zgjodhi një qasje të ngjashme me të Kusarit për ta mbrojtur Kusarin. Gjatë një konference për medie, Haxhiu pretendoi se komunikimi në përgjim është prerë, redaktuar e montuar, përkundër që gazetari Berat Buzhala disa herë e demantoi një gjë të tillë.
“Së pari, znj.Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëpë në tërësi tendencën për të shpërfaqur të deformuar një komunikim që ishte i prerë, i redaktuar, dhe i montuar sipas tendencave të tyre. Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, por fatkeqësisht në mënyrën më të keqe. Në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, Lista Serbe që u themelu nga partitë opozitare sot, që ishin në pushtet dikur, i bindet Vuçiqit dhe merret me shantazhe, kërcënime, presione.” – u shpreh ajo në një konferencë për media.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi, zyrtarja e lartë e VV-së pretendoi se efekti i këtyre publikimeve ka qenë zero dhe se “Kusari-Lila nuk shantazhohet”.
“Ato që janë publikuar, janë publikuar për një arsye të vetme, vetëm sepse efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë e t’i bëjë presion shefes së deputetëve, pot ë shkonin përpara kërkesat, ato nuk do të publikoheshin.” – deklaroi ajo.
Me tone pak më të larta, Haxhiu i tha gazetarit tonë “besoj e more përgjigjen”, derisa fliste se për Milan Radojiçiqin, me të cilin bisedoi Kusari-Lila, ka urdhërarrest.
“Situata apo dëshmia më e mirë për këtë është që prej kohës kur është bërë ky inicizm, kemi një sërë veprishmesh që reflektojnë sundimin e ligjit. Shpallja në kërkim e Radojiçiq, kur ne ishim në opozitë, urdhërarresti ishte tërhequr, s’i dijmë arsyet, s’i kuptuam asnjëherë, ndoshta duhet të pyetet Prokuroria Speciale, ai ka urdhërarrest, si kriminel nuk guxon të hyjë në Kosovë, sepse po të hyjë, do të përballet me drejtësinë, besoj e more përgjigjen.” – ka thënë ajo.