Lufta VV-PDK me mjete të reja: Tash do të sulmohen me hetime, partia opozitare sulmon e para - NACIONALE

Lufta VV-PDK me mjete të reja: Tash do të sulmohen me hetime, partia opozitare sulmon e para

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Temperatura e dorës së opozitës që u nxeh nga goditja e tavolinave, u shpërnda në dorën e ftohtë të pozitës për ta balancuar shkallën e nxehtësisë në mes të VV-së dhe PDK-së. Erdhi shtrëngimi i duarve, paqja u arrit, komision-i/et po bëhen.

Vetëvendosje lëshoi pe për ta themeluar Komisionin Parlamentar që do ta hetojë krizën energjetike në Kosovë.

Por, pe ka lëshuar edhe PDK-ja për ta formuar Komisionin tjetër Parlamentar të VV-së, për ta hetuar energjinë nga viti 2006.

Nacionale mësoi se Komisioni i parë Hetimor që do të votohej ishte propozimi i PDK-së. Ashtu edhe ndodhi. Ndërkohë që propozimi i VV-së duhet të presë gjashtë muaj për t’u legjitimuar.

Por, çka thotë ligji?

Maksima e njohur juridike – I pari për nga koha është edhe i pari për nga e drejta – inkorporohet edhe në ligjin për Komisione Parlamentare.

Në paragrafin ku rregullohet mandati i komisionit, thuhet: “Mandati për hetimin e një çështje është gjashtë (6) muaj brenda të cilit Komisioni duhet të paraqesë raport përfundimtar”.

Pra, i bie që VV-ja duhet të pres minimalisht gjashtë muaj për t’u votuar Komisioni i tyre Hetimor Parlamentar.

Tutje në ligj, rregullohet edhe mënyra se si ndryshohet ose zgjerohet mandati i komisionit hetimor, e ku shprehimisht, thuhet se, ajo mund të bëhet vetëm me pajtimin e propozuesit.

Çështja e cila është përcaktuar për hetim parlamentar me vendim nga Kuvendi mund të ndryshohet ose zgjerohet me vendim të Kuvendit më vonë, nëse propozuesi për inicimin e Komisionit është pajtuar me ndryshimin”, thuhet në ligj.

Opozita qe dy muaj është duke kërkuar të drejtën e vet kushtetuese për ta formuar këtë komision, të iniciuar nga PDK-ja dhe të nënshkruar nga 40 deputetë, përfshirë edhe LDK-në e AAK-në.

Dyshimet për manipulime me krizën energjetike u rritën sidomos pas skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, i cili dyshohet të ketë përfituar deri në 600 mijë euro nga GEN-i (kompani energjetike) në Beograd.

Këto akuza për manipulim gjatë krizës energjetike, të papranueshme për VV-në, pozita i ktheu në kundër-akuza, duke kërkuar tash që të hetohej opozita sa ishte në pozitë, për menaxhimin e energjisë që nga 2006-a.

Lëvizja Vetëvendosje, duke vepruar në mënyrë të paprecedentë, propozimit për komision hetimor nga opozita, pra i është përgjigjë, me të njëjtën kartë, duke bërë dallimin vetëm, në shtrirjen në kohë.

Komisioni që propozoi LVV, e për të cilin, tashmë, janë pajtuar me opozitën, ka për qëllim të hetojë, fushëveprimtarinë e menaxhimit me energjinë, në Kosovë, që nga viti 2006 e deri në krizën e fundit të vitit 2022.

Ditë më parë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, i kishte thënë Nacionales, se nuk ka logjikë e as mundësi, të formohen dy komisione në të njejtën kohë, për të njëjtën çështje.

“Nuk do të ishte logjike të formohen dy komisione të njëjta në të njëjtën kohë, pasi është shpenzim financiar, angazhim i resurseve njerëzore dhe do të ketë punë të dyfishtë për çështje të njejtë”, kishte thënë Kusari-Lila, për Gazetën Nacionale.

Ende nuk dihet nëse në hetim e sipër, këto dy komisione do ta kenë objekt hetimi çështjen e njëjtë, ndërsa se si do të interpretohet juridikisht, mbetet të shihet.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme