Lufta e Qeverisë Kurti ndaj varfërisë dhe pabarazisë - NACIONALE

Lufta e Qeverisë Kurti ndaj varfërisë dhe pabarazisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me t’u zgjedhur kryeminstër, Albin Kurti para deputetëve rëndiste prioritetet e qeverisjes që sapo niste. Reformat në drejtësi e shëndetësi, arsim dhe ekonomi i listoi si më të rëndësishmet, të cilat sipas Kurtit duhej të trajtoheshin shpejt.

Në fjalimin e tij të gjatë, që u quajt ekspoze, kryetema ishte pasojat e rënda të pandemisë së korona virusit.

Krahas sfidave prej pandemisë, çështje urgjente që kërkonte intervenimin e Qeverisë, kryeministri Kurti e cilësonte vështirësitë ekonomike me të cilat përballeshin kosovarët.

‘‘Ankthi i vazhdueshëm i gjetjes së një vendi të punës, i pagesave të faturave në fund të muajit e deri te sigurimi i ushqimit në tryezë është shtuar nga pandemia’’ – thoshte kryeministri Albin Kurti më 22 mars 2021, shkruan Gazeta Nacionale.

Jetën e shumicës së kosovarëve, i pari i ekzekutivit e cilësonte të vështirë.

‘‘Kemi papunësi dhe varfëri të lartë’’ – thoshte kryeqeveritari duke premtuar se që nga dita e zgjedhjes së tij si kryeministër “do fillojmë rrugëtimin e ri drejt progresit, të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë’’.

Megjithëse premtonte, timonieri i Qeverisë rithkesonte se për të arritur qëllimet që i listonte, Kosova ka një ‘‘rrugë të gjatë dhe të mundimshme, por se së bashku do arrijmë në cakun e dëshiruar’’.

Tashmë një vit ka kaluar që kur lideri i VV-së, partisë më të madhe në vend, është zgjedhur kryeministër.

Pas 365 ditëve të para si udhëheqës i Qverisë, cilat janë hapat që kryeministri Kurti ka zbatuar për të zhvilluar mirëqenien e kosovarëve?

Artan Mustafa, hulumtues në fushën e politikës sociale, beson se qeverisja 1-vjecare e Kurtit në fushën e mirëqenies duket se e prioritizon invesitimin social, e cila, sipas tij, është një qasje e drejtë.

Megjithatë, thekson Mustafa, rezultatet e qeverisë në këtë drejtim deri tani kanë qenë modeste.

‘‘Arritjet e vetme janë lansimi i shtesave universale për fëmijët dhe shtrirja e benefitit të pushimit të maternitetit te gratë e papunësuara’’ – thotë Mustafa.

Ndonëse për Mustafën këto programe janë të duhura, ai ka kritika se qeveria s’ka qenë transparente në implementimin dhe mbulueshmërinë e këtyre dy programeve.

‘’Deri më tash, pa arsye, nuk janë përfshirë as në raportimet e rregullta të Agjencisë së Statistikave në lidhje me statistikat e mirëqenies sociale, ku do të duhej të raportoheshin krahas statistikave tjera’’ – thotë ai për Nacionale.

Përtej kësaj, për Mustafën mungon rregullimi adekuat i lejeve prindërore, si dhe lëvizja e premtuar drejt masivizimit të shërbimeve publike të edukimit dhe kudjesit të hershëm parashkollor.

Brenda 1 viti, Mustafa e sheh qeverinë Kurti tërësisht të painteresuar për arsimin kosovar të cdo niveli e po ashtu edhe për shkencën.

Visar Ymeri nga Instituti për Politika Sociale, situatën nën qeverisjën e dikur bashkëpartiakut të tij e sheh si ironike.

‘’Është disi ironike, mbase, se si pikërisht në këto fusha të cilat i ka përmend Kryeministri në fjalimin e tij, kemi prapaecur gjatë këtij 1 vjeçari të qeverisjes, por jo për faj të qeverisë, ose jo tërësisht për faj të qeverisë.’’ – thotë ai.

Ymeri thekson se sot shporta e konsumatorit është më e shtrenjtë ‘’ndërkohë që të ardhurat e tij janë në një nivel mbase pak më të lartë nominal (për shkak të shtesave në skemat pensionale e sociale), por në një nivel më të ulët real (për shkak të rritjes së çmimeve)’’.

Reagimet e deritanishme të qeverisë, Ymeri i cilëson si ‘’reagim ndaj krizave’’ dhe jo politika progresive.

‘‘Ende është vështirë të thuhet se çka do të bëjë kjo qeveri. Investimi social i filluar si pjesë e reagimit ndaj rëndesës sociale të shkaktuar nga pandemia Covid19 ka mbetur vetëm pjesë e pakos emergjente dhe nuk është shndërruar ende në të drejtë shoqërore’’ – thotë Ymeri.

Se a do kenë efektet e duhura këto politika të qeverisë Kurti, Ymeri thotë duhet kohë për të parë ndikimet dhe për të vlerësuar nismat qeveritare në këtë drejtim.

Por, ai insiston se nëse këto politika nuk përcjellen me hapa tjerë, zor se do të kenë suksesin e pritur.

‘’Për shembull, pagesat për lehonat e papunësuara janë masë e mirë sociale. Por nëse kjo nuk përcillet me një zbatim më agresiv të masës për rritjen e punësimit të grave dhe të rinjëve atëherë mund të ketë efekt të dëmshëm të përjashtimit të gruas nga jeta publike e shoqërore’’ – thotë ai, duke shtuar se ashtu-kështu për qindja e grave të punësuar mbetet shumë e ulët.

Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate vë në pah se qeveria Kurti në rrafshin ekonomik është qeveri neoliberale.

Për Rrustën mjafton të shihen veprimet e qeverisë krashi krizës së energjisë për të vërtetuar këtë pohim.

Sipas saj, në krizën e energjisë i ka siguruar profitin kompanisë private, duke ndarë para nga buxheti i shtetit.

‘’Në aspektin ekonoimik qeveria nuk i ka bërë detyrat që i takojnë një qeverisjeje socialdemokrate. Largimi i TVSH-së nga produktet bazë, vendosja e tatimit progresiv si dhe në dividentë janë ndërhyrje të munguara’’ – thotë ajo.

Për Rrustën, çfardo ndërhyrje që nuk prek strukturën ekonomike e sociale është e pasukseshme dhe që s’do ketë reforma që qojnë drejt barazisë sociale.

‘’Qytetarëve ju mungon mirëqenia edhe nën këtë qeveri. Ata janë sot të pasigurt në këtë rrafsh. Prandaj edhe ka radhe të gjata pranë ambasadave. Shpresa e madhe nuk i ndali migrimet. Ato vazhdojnë të jenë të mëdha në numër’’ – thotë Rrusta.

Rrusta thekson se premtimet e dikurshme, që ishin edhe parimet e Vetëvendosjen, për heqjen e TVSh-së për produktet bazike apo edhe tatimi progresiv nuk figurojnë asgjëkundi.

‘’Tatimi progresiv si dhe largimi i TVSH-s nga produktet bazë nuk figurojnë gjëkundi. Dhe kjo pikërisht në kohën kur kjo ndërhyrje është urgjente. Skemat sociale aktuale nuk janë ndërhyrje strukturore. Ato vetëm sa e forcojnë ndarjen shoqërore në kategori dhe rolet ekzistuese, siç është paga për ridhprodhim për gratë’’ – thotë ajo.

Nën qeverisjen e Kurtit po forcohet familja tradicionale, insiston Rrusta, pasi që në periudhën e pasigurisë ekonomike, familja mbetet çatia e vetme.

‘’Përderisa nuk kemi ndërhyrje në strukturën ekonomike e sociale, dhe nëse puna kryesore e kësaj qeverije do të jetë vetëm luftimi i korrupsionit, krejt cfarë do të shohim është ndëshkim, por jo edhe drejtësi sociale’’ – thotë aktivistja politike.

E prekjen e strukturës ekonomike në vend e përmend edhe Artan Mustafa. Për të, qeveria Kurti përtej investimit social, deri tani, nuk ka bërë asnjë lëvizje përmbajtësore drejt një politike zhvillimore.

’‘Kryefjala e Qeverisë është kundërkorrupsioni. Por pa politikë zhvillimore të qëndrueshme dhe pa reforma të sistesmit të mbrojtjes sociale, ajo rrezikon të korruptojë (ose kompromentojë) alternativën socialdemokrate të vendit’’ – thotë ai, duke shtuar se tashmë është mundësia unike për të bërë këtë dhe kjo mundësi s’do përsëritet lehtë më.

‘‘Literatura krahasimtare tregon qartë se në kuptimin afatgjatë dalja nga gracka e korrupsionit është e pamundshme pa politika publike universale që përkrahin investimin dhe barazinë sociale’’ – shton Mustafa.

Për të, ligjërimi i qeverisë ka ndryshuar nga qëndrimet e dikurshme të partisë nga vjen ajo. Punësimi, kushtet e punës dhe barazia nuk janë më kryefjala e qeveritarëve nga Vetëvendosje.

‘‘Përkundrazi, deklarata më e njohur e Kryeministrit, në vitin e parë në detyrë, është ajo se qytetarët nuk e dinë sa u vjen fatura mujore e rrymës. Në vend të Punës, si termin e dytë kyç gjatë fushatës, Kryeministrin po e shohim gjithnjë e më shumë duke u marrë me Putinin’’ – thotë hulumtuesi i politikave sociale.

‘‘Kjo sjellje groteske, është thjeshtë manifestim i stagnimit në qeverisje. Dy faktorët kryesorë prapa këtij realiteti të Qeverisë së LVV-së duket të jenë ministrat neoliberalë në sektorët kryesorë dhe burimet e pakta kadrovike në përgjithësi. Duket se LVV, sa ka qenë në opozitë, nuk ka investuar në përgatitjen e një gjenerate që qeveris vendin, për çka kërkohet statecraft (mjeshtëri shtetërimi)’’ – vazhdon ai.

Në anën tjetër, Ymeri thotë se ende nuk është qartësuar se çfarë modeli të politikave sociale do të ndjekim dhe nëse Qeveria do të përqëndrohet në ndërhyrjet në tregun e punës për të krijuar kushte më të mira për punëtorët apo do të vazhdojë me mantrën e vjetër të dorës së padukshme të shtetit.

‘‘Fill pas këtij diskutimi duhet të fillojmë të mendojmë për strukturën fiskale që na duhet për ta mbështetur njërin ose tjetrin model’’ – thotë ai.

Por, duket se qeveria nuk e ka të qartë, pasi i premton të dyjat, sipas Ymerit. Edhe rritje të punësimit e përmirësime të kushteve të punës si premtim verbal, ndërkohë që ka rritje të skemave sociale në formë të vendimeve qeveritare.

‘‘Natyrisht që këto dy modele nuk ndahen me thikë dhe nuk janë përjashtuese në secilën instancë. Megjithatë ka rëndësi se ku do të duhet të jetë përqendrimi ynë si shtet. Për më tepër një reformë e tillë transformuese e logjikës dhe mekanizmave përcjellës institucional të mirëqenies shoqërore duhet domosdoshmërisht të synohet të jetë konsensus politik meqë zbatimi i saj është i pamundur në afat të shkurt dhe ndërprerja e një logjike të tillë qeverisëse mund të jetë më e dëmshme se sa mungesa e saj’’ – thotë ish deputeti.

Ymeri thotë se në Kosovë shteti i mirëqenies është ndërtuar copë-copë nga secila qeveri dhe si pasojë e trysnisë emergjente që ka ardhë nga kërkesat shoqërore.

Kujtojmë që gjatë vitit të kaluar Qeveria Kurti ka hartuar koncept dokumentin për Fondin Sovran, që është një mekanizëm i ri për orientimin e investimeve në kompanitë publike të Kosovës.










Lajme të ngjashme