Lloç, Rrena dhe Turp - NACIONALE

Lloç, Rrena dhe Turp

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Afrim Haliti

“Sot dita e bardhë që e paralajmëruam në mëngjes u shndërrua edhe në natë të bardhë. Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë….

… ky nuk është një mandat për hakmarrje e as mandat i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët, kur ne garantojmë mirëqenjen, e luftojmë me ngulm e pakompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësinë e punojmë me zell të madh për barazinë. Kjo qeveri do të jetë qeveria juaj të nderuar qytetarë, e zëri juaj do të jetë përherë zëri ynë. Këtë ua premtoj për sot e çdo herë tjetër.”

Këto ishin fjalët e para me të cilat Vjosa Osmani iu drejtua qytetarëve të Kosovës në natën e 14 shkurtit 2021, pas mbylljes së vendvotimeve. Ajo foli kështu në emër të gjithë qeverisë së re dhe jo si presidente e ardhshme e Republikës së Kosovës.

Kur e shtyjmë filmin shpejtë përpara dhe ndalemi tek e sotmja, nuk ka se si të mos na e ngacmojë kurreshtjen përmbushja apo jo e premtimeve të asaj nate, ose më së paku nëse po bëhet diçka në atë drejtim.

Prandaj shikoni!

Se a kishte hakmarrje apo jo, shikoni ndryshimet e bëra në bordet e ndërmarrjeve publike, përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe shkarkimin e kryetares e KQZ-së.

Se a po kryhen punët, shikoni cilat ishin punët e premtuara në programin inekzistent të partisë që kishte fituar zgjedhjet.

Se a po nderohet historia, ndër tjera, vlen të ri-vizitohet kremtimi i përvjetorit të pavarësisë.

Se a po e garantojnë mirëqenien, më së bukuri e vërtetojnë çmimet e gjërave shtëpiake, së bashku me numrin e aplikuesve për viza pune në shtetet e BE-së.

Se a po e luftojnë korrupsionin mund ta dijmë më së miri kur të na lejohet qasja në shqyrtimin e plotë të të gjithë tenderëve njëburimor, dhe jo vetëm.

Se a po e arrijnë barazinë dhe drejtësinë, pasqyrë ideale e kemi hendekun gjithnjë në rritje në mes të shtresave më të pasura dhe atyre më të varfëra të shoqërisë Kosovare.

Se a janë ata zëri jonë dhe a jemi ne zëri i tyre përshkruhet më së bukuri me transparencën më të dobët që kjo qeveri ka në krahasim me të gjitha qeveritë e kaluara.

Dhe premtimin e dhënë në fund, vazhdoj të shpresoj se nuk është premtim i njejtë me premtimet e mëhershme të shprehura me kurrë, kurrë, kurrë.

Nuk ka dyshim që sot, kultura në të cilën jetojmë është kulturë rrenash. Dhe e vërteta e vetme këtu është se gjithmonë ka qenë kështu, herë më shumë e herë më pak. Mirëpo, dëshpëruese edhe sot vazhdon të jetë që shumica fare hapur besojnë paturpshëm se rrena është krejtësisht legjitime, për më tepër e preferueshme në arritjen e qëllimeve politike dhe ideologjike. Në esenë e saj “Të gënjyerit në politikë”, Hannah Arendt thotë se e vërteta nuk është llogaritur kurrë si virtyt politik ndërsa rrenat janë konsideruar gjithmonë si mjete të justifikueshme në marrëdhëniet politike. Nazisti Josef Goebbels kishte thënë "Nëse e thua një rrenë mjaft të madhe dhe vazhdon ta përsëritësh, njerëzit në fund do të arrijnë ta besojnë atë rrenë... Kështu bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin që të përdorë të gjitha fuqitë e tij për të shtypur mospajtimet, sepse e vërteta e vret rrenën dhe rrjedhimisht e vërteta edhe është armiku më i madh i shtetit.”

Ne sot gjendemi në një situatë, kur rrena është bërë pjesë normale e diskursit publik, kontrollit dhe pushtetit. Ajo përdoret pa kurrfarë përgjegjësie morale, në të folur dhe në të shkruar. Para pak ditësh kishim zëvendës-kryeministrin e Kosovës, që njëkohësisht është edhe përgjegjës për dialogun me Serbinë, i cili shkruante për takimin e tij me zyrtarë të lartë të Këshillit Evropian, dhe brenda pak rreshtave që i lejohen në Twitter, sajon një rrenë që do i shitej mirë më tregun e kosovarëve. Ne gjithmonë themi se rrena ka këmbët e shkurta, por nuk e pranojmë që gjuhën e ka të gjatë. Edhe pse rrena e zëvendës-kryeministrit u shpërfaq cullak nga zyrtari i KE, ai vazhdoi tutje të sajojë rrenën tjetër në arsyetim. Se sa mbanë përgjegjësi morale, dhe se sa i vie keq u pa nga keqardhja që nuk i shprehu qytetarëve. Ai atë ia shprehu vetëm zyrtarit të KE-së, natyrisht i zënë ngusht por i paturpëruar. Dhe kjo është pikëlluese sa që të bënë të harrosh këpucët e tij me lloç në takimin që kishte me Escobarin dhe Lajçakun.

“Lloç, rrena dhe turp” [ang. Mud, Lies and Shame] quhet albumi i rock bandit Wild Seeds nga Texasi i viteve të 80ta. Përkundër premtimit dhe besimit se munden, në këngën titullare “I’m Sorry, I Can’t Rock You All Night Long” shprehë keqardhje dhe e pranon se është lodhur dhe nuk mund të përformojë tërë naten. Dhe këtë gjendje e reflekton bukur në titullin e albumit nga i cili mësimin e vetëm që udhëheqësit aktual politik në Kosovë mund të nxjerrin është ndjesia e turpshmërisë.

Të paktën kur zihen në rrenë!

Lajme të ngjashme