Lista Serbe reagon pas votimit për anëtarësim të Mitrovicës së Veriut AKK: Null dhe i pavlefshëm
Lista Serbe ka reaguar për vendimin e marrë nga asambleja – pa pjesëmarrje të komunitetit shumicë serbë – e Mitrovicës së Veriut, nën udhëheqësinë e Lëvizjes Vetëvendosje, që kjo komunë t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës, e të cilën e kanë quajtur “null” dhe “të pavlefshëm” në mesin e qytearëve të asaj komune, ngase është marrë nga përfaqësues “jo legjitim”.
Ndonëse çështja më e nxehtë në Marrëveshjen e Ohrit dhe në mbarë Dialogun Kosovë-Serbi është themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, udhëheqësia e re shqiptare (pa pjesëmarrjen e komunitetit shumicë serbë) ka votuar për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
“Sikur të gjitha vendimet gjer më tash, vendimi për anëtarësim në Asociacion të Komunave të Kosovës, që është marrë nga shumica e paligjshme dhe jolegjitime e asamblesë komunale në Mitrovicë të Veriut, është null, dhe askush nuk e konsideron relevant në mesin e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut”, ka shkruar Lista Serbe.
Madje, Lista Serbe thotë se “përfaqëson vetëm qëllimin e regjimit të Albin Kurtit për përshkallëzim të situatës”.
“Sa i përket Asociacionit, qytetarët tanë janë të interesuar për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, si institucioni çati që do të mbrojë popuzllin serb...”, ka shkruar Lista Serbe.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, ka votuar “pro”, bashkimit të kësaj Komune, në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Aida Doli, këshilltare komunale përmes një shkrimi në Facebook, e ka konfirmuar se u votua “pro” në Kuvend, duke e cilësuar vendim thelbësor për adresimin e sfidave.
“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë.”