Lirimi i policëve: Kush përfundoi i 'koritur' nga kjo histori? - NACIONALE

Lirimi i policëve: Kush përfundoi i 'koritur' nga kjo histori?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, Serbia i liroi tre policët e Kosovës që i kishte rrëmbyer më 14 qershor zonën kufitare në veri. Por, megjithëse ky episod i errët duket se kaloi... dikush do të mbetet i koritur. Kush?

Koritjen fjalori e përshkruan si veprimin kur e bën me turp dikë, kur i nxin faqen dikujt.

E megjithatë dikush u bë me turp dhe iu nxinë faqet. Ose, do të duhej që t’iu nxiheshin faqet.

Serbia

Pa asnjë dyshim, Serbia ishte e koritura më e madhe nga gjithë ajo që ndodhi. I kidnapoi tre policë të Kosovës dhe ndaj saj menjëherë bënë presion ShBA-ja, BE-ja e bile edhe Shqipëria me Edi Ramën që e kërcënoi me “akullnajosje” të marrëdhënieve.

Presidentit Vuçiq, miku i tij dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ia kërkoi në sy që t’i lironte policët e Kosovës.

“Për tre policë të Kosovës, ju lutem i dashur Aleksandër, mendojeni, armiqtë mezi presin ta dëmtojnë Serbinë, është një rast i tillë në të cilin mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë dhe t’i ktheni ata tre shqiptarë në Kosovë. Mendoj se do t’ju ndihmonte për të çuar përpara kauzën tuaj. Prandaj, po ju kërkoj të mendoni për këtë,” i kishte thënë Orbani, Vuçiqit.

Eh, tash Serbia i liroi policët që vetë i kishte rrëmbyer por... përsëri tregoi se sa destruktive është, sidomos në raportet e saj me Kosovën.

Gjykuesit publikë

Pati shumë njerëz që i gjykuan publikisht tre policët e rrëmbyer. U shprehën trimërisht të “poshtëruar” se si ishte përdhosur dinjiteti i Republikës së Kosovës, meqë ata nuk kishin reaguar.

Këta gjykues publikë më së miri i mishërojnë dy njerëz. Njëri aktivist i VV-së, e tjetri analist televiziv që mbështet VV-në.

I pari quhet Fidan Ademi, dhe përveç aktivist i VV-së ishte edhe drejtor i Inspeksionit. Ai kishte thënë këto fjalë:

“Nuk ka asnjë arsyetim dorëzimi pa rezistencë...” derisa kishte kërkuar që të përballeshin në gjykatat e Kosovës për “tradhti kombëtare”.

I dyti quhet Krenar Shala dhe e shohim gati përnatë në televizorët tanë.

“Edhe ai (polici i Kosovës) duhet me gju. Ka qenë një poshtërim shumë i madh. Unë e kam përjetuar shumë keq.... unë ta kisha pasë armën, nuk po du me paragjyku kontekstin aty, po unë s’kisha mujtë pa gjujtë, ndoshta as unë s’kisha gju, s’po du me paragjyku. Ama qysh e njoh unë veten, me pas pasë armën, edhe me pa edhe agresorin, dhe ku t’mu kish kujtu historia e agresorit, unë s’di qysh kisha mujtë me duru.”tha ai.

Ok, kalojmë tutje.

Albin Kurti

Një tjetër i koritur është edhe Albin Kurti. Dhe jo për veprimet që i bëri si kryeministër për këtë rast. Ishte pak-a-shumë i drejtë. Por, u korit për fjalët si opozitar.

Në vitin 2016 ai fliste për policët e rrëmbyer nga Serbia në Dumnicë. Dhe, çka nuk tha.

Ngjarja – mbajeni mend – kishte ndodhur në vitin 2012. E megjithatë, Kurti në mënyrë që ta poshtëronte policinë e Kosovës, e kishte përmendur sërish duke i thënë këto fjalë të papranueshme:

“Jau kanë dhunuar tre policë në Dumnicë. Xhandarmëria serbe jau ka shtrirë në dushk të malit, ratë. Pse asnjëri prej tyre nuk dha intervistë? Si bëhet që asnjëri prej tre policëve që u shtrinë ratë në Dumnicë nuk dha intervistë? Si bëhet që asnjë shok i tyre nuk mori hak?”

Kaq për sot!

Lajme të ngjashme