‘Linçimet me urdhër të Albin Kurtit’: Atmosfera e helmuar dhe sulmet online, Osmani adresën e jep te pushteti
Adresë dhe origjinë se ku duhet kërkuar përgjegjësia urdhërdhënëse për linçimet dhe helmin e ushqyer ndaj kundërshtarëve politikë "është Albin Kurti." Këtë pretendim e bëri hiç më pak se ish-aleatja më e parë e tij, Vjosa Osmani, në një intervistë në "Rubikon" te Adriatik Kelmendi.
Osmani, e cila është duke marrë trajtim të rëndë degradimi online nga faqe e profile mbështetëse të Vetëvendosjes, deri edhe në sulme poshtëruese seksuale, tha se urdhërdhënia ngritet deri në nivelin më të lartë: te Albin Kurti.
Dhe këtë ajo tha ta dijë "nga pesë vite" përvojë në bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe se as që duhet lodhur të kërkohet përgjegjësia diku tjetër. Linçimet dhe sulmet janë veçse fjalë të Albin Kurtit, tha ajo, "që të tjerët i zbatojnë nga fjalët e tij."
Ajo e cilësoi fushatën si të paprecedentë në historinë e Kosovës, duke përshkruar video të fabrikuara me inteligjencë artificiale, takime të rreme të montuara dhe sulme me karakter poshtërues seksual: të gjitha, sipas saj, të koordinuara nga lart.
"Absolutisht, asgjë nuk ndodh pa urdhërin e tij. Asnjë nga sulmet, ofendimet, propaganda, linçimet, manipulimet, që janë bërë nga data 6 mars deri më sot kundër meje, nuk do të bëheshin pa dijeninë dhe pa urdhërinë e zotit Kurtit. Janë fjalët e tij, janë urdhërat e tij, që po zbatohen nga njerëz të tjerë. Unë as nuk lodhem t'i fajësoj njerëzit e tjerë. Urdhërdhënësi ka emër dhe mbiemër," tha Osmani, duke theksuar se e thotë këtë "me përgjegjësinë më të lartë."
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë gjë e dha edhe për nga natyra dhe përkufizimi si: "luftë hibride." Sipas tij, dëmi tashmë ka kaluar kufirin e ekranit dhe ka destabilizuar edhe vendin.
"Kjo po na shndërrohet prej dhunës digjitale në dhunë fizike, në skenën politike. Dhuna fizike dhe ajo në të folur janë për nga natyra të njëjta. Këtu cenohet integriteti i procesit zgjedhor," tha Abdixhiku, duke bërë të ditur se LDK ka dorëzuar pranë Policisë tri-katër raste konkrete. "Habitemi se si kanë energji. Për çka merret një parti e tërë me lajme të rreme e propagandë," shtoi ai.
Besnik Tahiri nga AAK, vetë shënjestër i një manipulimi të dokumentuar me inteligjencë artificiale brenda Kuvendit, u shpreh se po t’i kishte ato prova se Kurti qëndron prapa kësaj urdhërdhënie, “qysh nesër do të shkoja në prokurori.”
"Tash edhe Presidentja thotë se ka urdhër nga Albin Kurti. Nuk e di a është kështu. Sepse po ta kisha ditur që është kështu, unë shkoj nesër në prokurori, nesër. Ne nuk guxojmë me rrëzu rendin demokratik për shkak të një beteje politike," tha Tahiri.