Licensimi i Kursimores së Postës Serbe do të ishte “hap prapa”, sipas ekonomistit kosovar
Licensimin e një banke serbe në Kosovë – në dritën e ndalimit të dinarit – e sheh si “hap prapa” ekonomisti kosovar, profesor në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Kjo edhe për arsye se Serbia kërkon që Banka e Kursimores së Postës të vazhdojë operimin e saj në Kosovë – duke qenë prej të vetmeve banka serbe që ende operon në Kosovë, por që tash në pamundësi operimi si më parë pas ndalimit të importimit të dinarit në Kosovë.
“Sipas meje, Kursimorja e Postës është pjesë e Qeverisë së Serbisë dhe e njëjta, pa problem, mund t’i përcjellë dhe t’i diktojë të gjitha transaksionet që do të ndodhin në pjesën veriore dhe jugore [të Kosovës]”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.
“Ai thotë se çështja e dinarit është ‘politizuar’ aq sa është dashur të diskutohet në Bruksel dhe nuk beson se Kursimorja e Postës - nëse merr licencë në Kosovë - do të ndalojë plotësisht të operojë me monedhën zyrtare të Serbisë”, thuhet më tej në artikullin e REL.