Liberalizimi i vizave për serbët e Kosovës, Hoxhaj: Beogradi sot po ndjehet rehat
Ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, në një kritikë të ashpër drejtuar si Bashkimit Evropian, ashtu edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësime të mëdha për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Reagimi i Hoxhës vjen në dritën e liberalizimit të vizave të BE-së për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia dhe vendimit të Kurtit për heqjen e regjimit të vizave për Bosnje dhe Hercegovinën.
Sipas ish-kryediplomatit, këto lëvizje paraqesin një lëshim të rëndësishëm për Beogradin dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin e Kosovës.
"Beogradi sot po ndjehet rehat. BE-ja filloi liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia që qytetet e Kosovës i paraqet si të Serbisë, e Qeveria Kurti i dha lëvizje të lirë serbëve të Republika Srspka-s në të njëjtën ditë. Vendimi unilateral i Kryeministrit Kurti për të hequr regjimin e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është asgjë më pak se një kapitullim." - tha ai ndër të tjera.
Hoxhaj është shprehur i zhgënjyer me qeverinë Kurti që nuk ka siguruar lëvizje reciproke për qytetarët e Kosovës.
Ai gjithashtu kritikoi vendimin e Brukselit si “sulm të qartë ndaj sovranitetit të Kosovës” dhe akuzoi Kurtin se nuk e kundërshtoi atë në bisedime.
"Pas dorëzimit në CEFTA, tani ai po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srpska, pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën. Por sot, si mund ta justifikojë Kurti që regjimi për pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë lejon serbët të lëvizin lirshëm në BE—duke legjitimuar në mënyrë efektive pretendimin e Serbisë mbi qytetet e Kosovës? Ky vendim i Brukselit është një sulm i qartë ndaj sovranitetit të Kosovës, ndaj të cilit Kurti ka heshtur dhe nuk ka kundërshtuar në bisedimet e tij në tavolinat e majta, të cilat kanë rezerva ndaj shtetësisë së Kosovës.
E gjitha kjo ndodhi duke i dhënë Beogradit një mjet për vetëmenaxhimin politik të popullsisë serbe në Kosovë, vitin e kaluar në vilën e Titos në Ohër. Kurti po hap rrugën për agjendën e Beogradit, duke minuar pavarësinë e fituar me sakrificë të Kosovës dhe duke kërcënuar të ardhmen e saj me politikën e dorëzimit ndaj agjendave të majta evropiane.
Jam shumë krenar që kam qenë unë ai që ka propozuar regjim të vizave me Bosnjën dhe Hercegovinën pasi Repubika Srspka kishte kushtëzuar tërë shtetin boshnjak që të merrte një vendim të tillë! Të shoh Kryeministrin Kurti që sot pa asnjë reciprocitet të shpall një vendim të tillë, është gabim shumë i madh politik, ngaqë qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës dhe pse mos të presin edhe ata para ambasadave të Kosovës!", tha ai.