Levizja për Bashkim: Situata në veri, rrjedhojë logjike e një situate të pazgjidhur
Pas protestës së serbeve në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Levizja për Bashkim.
Me anë të një njoftimi në Facebook, ata kanë thënë se që nga shpallja e pavarësisë, në vazhdimësi ka pasur tensionime e përshkallëzime të situatës në veri të Kosovës.
Poashtu thuhet se kjo situatë vjen si rrjedhojë e një çështjeje të pazgjidhur - çështjes së veriut.
“Qytetarët serbë të veriut, të shtyrë e të mbështetur nga Serbia, nuk e pranojnë dhe e sfidojnë hapur shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Në anën tjetër, dialogu i vendosur në binarë të gabuar as nuk ka prodhuar, e as nuk pritet të prodhojë ndonjë zgjidhje që do t'i jepte fund mundësisë së tensionimit të situatës”, thuhet në njoftim.
Tutje, Levizja për Bashkim thonë se shtrimi i drejtë i kësaj çështjeje, dialogu i vendosur mbi bazën e reciprocitetit në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve dhe shmangia e bisedimeve për çështje të brendshme me Serbinë, është rruga e duhur për t'iu dhënë fund tensionimeve të herëpashershme dhe për t'i dhënë vendit e kombit një zgjidhje të përhershme.
“Në të kundërtën, nëse vazhdojmë të bisedojmë me Serbinë për çështje të brendshme të vendit tonë dhe nëse merremi me çështje teknike (edhe kur është në pyetje zbatimi i ligjit, siç është çështja e targave), në vend të zgjidhjes së plotë politike, do të kemi në vazhdimësi tensionime në veri e jofunksionalitet në tërë Kosovën”, përfundon njoftimi.