Lekaj: Praktikantët e Kurtit e kthyen shtetin shumë mbrapa
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, Qeverinë Kurti e ka vlerësuar si më të dobëtën që ka pasur Kosova.
Ai ka thënë se kjo është qeveri e praktikantëve që gjatë vitit të parë ka mbajtur shumë fjalime patetike dhe ka bërë pak punë.
Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, ai ka bërë me dije se kjo qeveri e ka kthyer Kosovën shumë mbrapa në aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Lekaj, ka folur edhe për aktivitetet e opozitës gjatë këtij viti dhe zgjedhjet e brendshme në AAK.
Nacionale: Z. Lekaj, janë bërë një vit që kryeministri Albin Kurti ka qeverisur vendin. Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e tij?
Lekaj: Një qeveri e dobët, ndoshta më e dobëta nga paslufta, me shumë fjalime poetike, me shumë filozofi e demagogji, dhe me pak punë, me pak përkushtim, e me pak suksese. Shkurt e shqip, qeveri e praktikantëve që e kthyen shtetin shumë mbrapa si në aspektin e brendshëm, e po ashtu edhe atë të jashtëm. Fatkeqësisht pasojat po ndihen dhe do të ndihen edhe më vonë.
Nacionale: Ku mendoni se kjo qeveri i ka pasur dështimet më të mëdha?
Lekaj: Qeveria Kurti nuk kaloi ligjin e Pagave të mbi 80 shërbyesve civilë, nuk e ngriti pagën minimale e cila është më e vogla në rajon, nuk e bëri dhe zhvilloi konceptin e sigurimit shëndetësor, nuk ka strategji për hapjen e vendeve të punës, nuk lejoi investimet strategjike për energjinë, nuk e zhvilloi ekonominë kosovare, dhe nuk ka vizion si t’i ndalë rininë e Kosovës për të mos emigruar nga vendlindja.
Nacionale: AAK-ja vazhdimisht e ka kritikuar këtë qeveri. A i njihni ndonjë meritë qeverisë?
Lekaj: E vetmja meritë janë disa nga zhvillimet në dikasterin dhe fushën e drejtësisë, asgjë tjetër. Edhe pse edhe për këtë dyshoj që do të çalojnë dhe të ndalen sikurse për shumë procese të tjera.
Nacionale: Qeveria ka refuzuar propozimin e vendeve të QUINT-it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. E përkrahni qeverinë në këtë drejtim?
Lekaj: Si benefitet, por edhe humbjet në çfarëdo teme i bart Qeveria, prandaj qeveria është përgjegjëse për çfarëdo vendimi në nivel shteti.
Këtu vlen të theksohet arroganca e Qeverisë dhe mosbashkëpunimi me opozitën për këtë temë të rëndësisë kombëtare ashtu sikurse edhe për temat tjera. Pra, Kurti nuk po krijon unitet dhe bashkëpunim pozitë-opozitë për temat e rënda e sfiduese për Kosovën.
Dhe me këtë rast qeveria duhet të jetë fuqiplotë dhe të respektojë rregullat dhe ligjet e Kushtetutës të shtetit të Kosovës.
Nacionale: Pas një viti kritikat janë shtuar edhe për partitë opozitare, se nuk po bëjnë sa duhet kundër Qeverisë Kurti.
Lekaj: Ne jemi Grup Parlamentar shumë i zëshëm opozitar, ku vazhdimisht opozitën e bëjmë me debate parlamentare, organizime të tryezave të ndryshme parlamentare, pyetje e diskutime nga më të ndryshmet në Kuvend të Kosovës për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe duke përcjell çdo herë punën e vendimet e qeverisë. Unë do ta shpjegoja me dy arsye pse ndoshta nga jashtë opozita duket që është pak pasive. E para, Qeveria nuk po bën asgjë, pra nuk ka vendime e punë që ne të kritikojmë dhe reagojmë për punën e tyre, dhe kjo i bie që ata janë ende në gjumë. Ndërsa e dyta është, që një qeveri e cila merr mbi 50% të votave duhet patjetër ta lësh një kohë që masa/populli ta shohë dhe ta kuptojë përfomancën e dobët të qeverisë, dhe pastaj mund dhe duhet të vijnë reagimet dhe të bëhet një opozitë e fortë. Tani kanë kaluar një vit dhe ne nuk kemi qenë keq, por nuk e mohojmë që tani e tutje do të jemi edhe më të mirë në mbrojtje të interesave shtetërore e të qytetarëve.
Nacionale: Mendoni se është i nevojshëm krijimi i një fronti të përbashkët opozitar në mënyrë që bashkëpunimi të jetë më i madh në mes të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së?
Lekaj: Bashkërendimet me partitë opozitare janë në nivel të kënaqshëm, dhe të tilla do të mbesin edhe në vazhdim. Me një opozitë sa më e bashkuar, kuptohet që presioni do të ishte më i madh dhe rezultatet do të ishin më të mira. Sidoqoftë, Kosova qëndron mirë në raportet e opozitës në të gjitha legjislaturat, por tek e fundit nëse çdo qëndrim do të ishte i njëjtë mes partive opozitare, atëherë nuk do të kishte kuptim që të jenë shumë parti e shumë grupe parlamentare.
Nacionale: Z. Lekaj, AAK-ja është në proces të brendshëm zgjedhor. Si po shkon ky proces zgjedhor?
Lekaj: Procesi zgjedhor çdoherë është i mirë për secilën parti. Në AAK, përmes këtij procesi krijohen mundësi të reja për djem e vajza që kanë aspirata dhe afinitet për pjesëmarrje dhe kontribut në politikë. Zgjedhjet janë duke u mbajtur nëpër të gjitha nëndegët e degëve të AAK-së në tërë Kosovën. Aq sa jam i njoftuar, në garë dhe në zgjedhje po vijnë emra të rinj e të moderuar që shkollimin e dijen e tyre dëshirojnë ta japin në politikëbërje. Pas zgjedhjeve në nëndegë e degë, në fund vjen Kuvendi Zgjedhor qendror, ku shpresojmë dhe urojmë që në kryesi e këshill drejtues do të vijnë njerëz meritorë e që mund t’i shërbejnë me devotshmëri partisë dhe shtetit të Kosovës. Zgjedhjet janë të lira e të hapura, prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që besojnë dhe përkojnë me politikat e AAK-së, t’i bashkohen partisë dhe të japin kontributin e tyre.
Nacionale: Kryetari aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se sërish do të kandidojë për kryetar të partisë. A do ta sfidojë dikush në këtë garë?
Lekaj: Sa here që z. Haradinaj dëshiron të jetë më pak aktiv në skenën politike të vendit, krijohen situata që ndoshta vërtet është e nevojshme që Ramush Haradinaj të jetë në skenën politike. Dy herë kryeministër, përkundër mikrogabimeve që për mua janë teknike, apo gafa mediatike të sponsorizuara nga shërbime që nuk ia dojnë të mirën këtij vendi, z. Haradinaj ka qenë një burrështetas që zgjoi vëmendjen dhe rendësinë e shtetit të Kosovës si me shtetet fqinje, ashtu edhe me vende rajone dhe evropiane. Ka qenë një kryeministër që ka marrë vendime të mëdha për shtetin, një kryeministër që forcoi sigurinë dhe sovranitetin e shtetit, një kryeministër që do të mbahet mend dhe i cili po të ishte me gjatë në qeveri, besoni që gjerat do të ishin më mirë për Kosovën.
Prandaj, z. Haradinaj, me siguri do të kandidojë, por që gara është e hapur dhe besoj që është shumë normale që të kemi kundërkandidat, sepse jetojmë në demokraci dhe duhet t’i mbrojmë e jetësojmë vlerat e këtij sistemi. Tek e fundit, vota e peshon secilin dhe është ajo që e përcakton fituesin, prandaj uroj që të zgjidhet ai që ka më se shumti vota e besim në strukturat e AAK-së. Cilido qoftë kryetari i ri, neve si struktura e kryesi na ka mbrapa për punët e mira që dimë dhe duam t’i sjellim shtetit të Kosovës.