LDK-ja bën opozitë me grafikë, kritikon pushtetin për dështime në ekonomi e arsim
Lidhja Demokratike e Kosovës që disa ditë ka nisur më intensivisht një qasje interesante të të bërit opozitë. Përmës grafikave, numrave e tabelave të ndryshme, LDK-ja ka nisur “luftën” e saj për të “demantuar” atë që e quan “propagandë të pushtetit” rreth ekonomisë, arsimit e sferave të tjera shoqërore. Shënjestër kryesore e LDK-së, së paku gjatë kësaj jave, ka qenë Hekuran Murati, ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Në këtë përpjekje të LDK-së janë aktivë shumë zyrtarë, përfshirë deputetët Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj.
Kritikat e LDK-së
Deputetja Bajrami i reagoi edhe vetë kryeministrit Kurti, të cilit i tha se merr “pak vesh nga ekonomia”. Në shkrimin e saj, Bajrami ia shtroi dy pyetje Kurtit.
“Kyreminister, pyeti ekonomistat që i ke në Kabinet se cila teori apo praktikë të qon të krijimi enorm i vendeve të punës kur rritjen ekonomike e ke vetëm 4.3% (2022); 3.3% (2023) dhe pret me pasë rritje max 3.9 (2024)?
Qysh ka mundësi me lulëzu punësimi Kryeministër kur eksporti në vitin 2023 ka qënë vetëm 819 milionë euro ndërsa importi ka qënë 5.7 milardë euro, dmth. deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro?
Qysh po u krijojkan vende punë Kryeminister kur investimet kapitale gjatë mandatit tënd janë vetëm 11% buxhetit dhe investimet private i ke në rënie?” – e pyeti Bajrami, Kurtin.
Në një postim tjetër, Bajrami tha se ministry Murati është tallur me qytetarët.
“Ministri i financave qenka tallë prapë me qytetarë, po thotë se 6.8 euro për ju në muaj bëjnë 2.3 milionë në muaj për shtetin.
POR
📍në vitin 2021 një bukë ka kushtu 30 CENT
📍sot një bukë kushton 60 CENT
Tash a e llogarisim sa bukë konsumon një familje për një ditë, ta shumëzojmë me 365 (ditë në vit), mandej e shumëzojmë me 3.5 (sa janë edhe vitet e qeverisjes Kurti) dhe në fund me numrin e familjeve në Kosovë” – ka shkruar Bajrami.
Ndërsa deputeti Hoti u mor me një numër tjetër. Në një postim disa ditë më parë, Hoti shkroi vendi është varfëruar gjatë qeverisjes së Kurtit.
“4 vjet në qeverisje, pagat rriten me 6.8 euro
Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa “të thella” janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!!!
Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve” – kishte shkruar Hoti.
E deputeti Selmanaj u mor me arsim, duke theksuar se Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk i kanë përmbushur premtimet.
“Zgjedhjet janë një proces ku politikanët kandidojnë me projekte, dhe populli përmes votës zgjedh kë të punësojë për t’i zbatuar ato projekte/premtime. Në vitin 2021, shumica e popullit e ka punësuar Albinin me qëllimin për të zbatuar projektet që ai i ka premtuar.
Albini ka vendosur ta bëjë ministre të Arsimit për të gjithë Kosovën, një zonjë që ka dështuar si drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës” – shkroi Selmanaj.
Ndërsa zyrtari i lartë i LDK-së, Berat Rukiqi, e publikoi një tabelë që tregonte rritjen e çmimeve të produkteve esenciale gjatë qeverisjes së Kurtit.
“Edhe njehere per pagen minimale dhe vleren reale te saj
Ne vijim eshte nje ilustrim i thjeshte dhe nje tabele, qe tregon se sa kemi mundur te blejme, nga produktet esenciale, me nje page minimale, ne fillim te mandatit te kesaj qeverie dhe cka mund te blejme sot me pagen minimale te “rritur”
1) Buka
- Paga minimale 2021: Kemi mundur t’i blejme 754 buke
- Paga minimale 2024: Mund t’i blejme 673 buke
- Rritja e cmimit te bukes per 3 vite (2021-2024): 48.6%” – shkroi dje Rukiqi.
Për t'i parë postimet e ministrit Murati, klikoni këtu, këtu dhe këtu.