LB: Partitë politike ta ndalojnë demonizimin e idesë për ripërcaktim të kufirit Kosovë-Serbi
Lëvizja për Bashkim ka kërkuar nga partitë politike në Kosovë që ta ndalojnë demonizimin e idesë së ripërcaktimit të kufirit Kosovë-Serbi.
Përmes një deklarate për media, kjo lëvizje ka vlerësuar se reciprociteti i plotë ndërmjet veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore dhe ripërcaktimi i kufirit Kosovë-Serbi janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.
“Zgjidhja paqësore dhe e qëndrueshme është futja e Kosovës Lindore në dialog, me kriterin e reciprocitetit të plotë ndërmjet veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore, që nënkupton reciprocitet prej të drejtave elementare, e deri në ripërcaktim të kufirit Kosovë-Serbi. Forcat politike në Kosovë duhet të ndalojnë demonizimin e kësaj mundësie për zgjidhje, e cila është e vetmja zgjidhje në rrethanat aktuale. As Kosova, as ndonjë individ a grup brenda saj, nuk duhet të kërkojë raste që të shtojë krenarinë në kurriz të dëshmorëve të rinj”, është thënë në deklaratën e LB-së.
Nder të tjera, ky subjekt politik ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia problem në mes tyre duhet t`i zgjidhin vetëm në mënyrë paqësore.
“Në muajt e fundit temperatura politike rreth dialogut, e cila e nxeh më së shumti veriun, është ngritur shumë. Pyetja kryesore e këtij momenti, e cila rishtrohet, është: a është e mundshme zgjidhja paqësore, apo duhet ndërhyrje me forcë në veriun e vendit për ta ushtruar sovranitetin? Natyrisht se duhet të përgatitemi gjithmonë dhe sa më mirë, që t’iu përgjigjemi situatave, të cilat edhe mund të çojnë në konflikte të armatosura. Por këtë gatishmëri nuk e dëmton vlerësimi dhe deklarimi i qartë e i zëshëm se situata aktuale në veriun e vendit - dhe përgjithësisht çështja e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - është çështje politike dhe se mund të zgjidhet me marrëveshje paqësore”, është thënë në deklaratë.