Lavdërime, përurime, kritika e paralajmërime: Si e nisen vitin kandidatët për kryeministër?
Kandidatët për kryeministër të Kosovës nuk kanë pushuar shumë nga festa. Ata janë treguar mjaft aktiv në fillim e vitit 2025. Qysh në ditët e para të janarit, ata janë shfaqur para qytetarëve të Kosovës me aktivitet e tyre.
Derisa kandidatët për kryeministër nga opozita vitin e kanë nisur duke shprehur kritika për Qeverinë aktuale, kryeministri Albin Kurti është lavdëruar.
Ky i fundit, i cili është edhe kandidat i VV-së për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, është lavdëruar me përformancën e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc”.
“2024-ta është certifikata e suksesit e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc”. Kjo ndërmarrje përveçse arriti ta menaxhojë në mënyrë të shkëlqyeshme dëmin e shkaktuar nga sulmi terrorist i 29 nëntorit dhe ta rehabilitojë plotësisht brenda një muaji kanalin e dëmtuar, ajo vitin pritet ta përmbyll me rreth 1.6 milionë euro fitim neto nga 2.9 milionë euro humbje sa ishin regjistruar në fund të vitit 2021”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”
Kurse, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili është edhe kandidat i PDK-së për kryeministër, vitin e ka nisur me përurimin e dy qendrave shëndetësore në këtë qytet.
Ai ka treguar se Qendrën Mjekësore Familjare në Bare dhe Ambulatën Mjekësore Familjare në Bajgorë nga tash do të ofrojnë shërbime më cilësore, më të zgjeruara dhe në mjedise mjekësore moderne.
“Vitin 2025 e nisa me përurimin e dy qendrave shëndetësore tërësisht të transformuara, Qendrën Mjekësore Familjare në Bare dhe Ambulatën Mjekësore Familjare në Bajgorë, të cilat nga tash ofrojnë shërbime më cilësore, më të zgjeruara dhe në mjedise mjekësore moderne. Ne do të ofrojmë shërbime shëndetësore më të mira për të gjithë, duke e funksionalizuar Sistemin e Sigurimeve dhe digjitalizuar tërësisht sistemin shëndetësor në një platformë të integruar dhe efikase, me të gjitha nivelet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. #MaMirë për shëndetësinë. #MaMirë për Kosovën”, ka shkruar Hamza.
Edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka filluar aktivitet elektorale në vitin e ri.
Dje, në profilin e tij në “Facebook”, ai ka paralajmëruar tubim të madh elektoral në Pallatin e Rinisë.
“Republika jonë është vet ëndrra jonë! Ndryshimi sot është misioni jonë! Më 11 janar, hapim fushatën e fitores! Më 11 janar, të djathtit, rugovistët, besimtarët e Republikës e mbështetësit e Lidhjes, i përgjigjen kushtrimit për ndryshim. Në tubimin më të madh elektoral të kohës, në Pallatin e Rinisë - mblidhemi të gjithë në Prishtinë! Ejani. Ky është momenti ynë! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndryshenga Hamza dhe Abdixhiku, andidati për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, vitin e ka nisur me kritika të ashpra për Qeverinë Kurti.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të bashkohen për të larguar nga pushteti qeverinë aktuale.
“Sfida e parë e madhe është se si të dalim nga izolimi e sanksionet e të rirreshtohemi me partnerët strategjikë, posaçërisht SHBA. Kosova e ka jetike anëtarësimin direkt në NATO. Një tjetër sfidë do të jetë rritja e minimumit jetësor, ku nuk mund të këtë pagë mesatare nën 1 mijë e pension nën 500 euro. Apo mbështetja e ekonomive familjare, bizeseve të vogla e deri tek ato të mëdha. Është e domosdoshme ta ndalim gjakderdhjen financiare të realizuar përmes sistemit të tenderëve njëburimor. Lista e punëve që duhet t’i kryjmë për ta rikthyer vendin kah e mbara është e gjatë. Të bashkohemi rreth Kosovës Fituese dhe këtë vend ta bëjmë të jetueshëm, e jo të braktisur nga qindra mijëra njerëz që rrugën e mërgimit e shohin shpëtim”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.