Agim Bahtiri i VV-së kërkon të bëhen bashkë pozitë e opozitë: Situata nuk ka qenë asnjëherë më serioze
Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se vendimi i Listës Serbe për largimin nga institucionet e Kosovës po dëshmon edhe njëherë qëllimin e qartë të Vuçiqit për destabilizim të situatës në veri të vendit.
Bahtiri i ka bërë apel pozitës dhe opozitës që të behën bashkë për mbrojtjen e interesave shtetërorë, duke shtuar se situata asnjëherë nuk ka qenë më serioze.
“Bëj apel tek të gjithë, pozitë dhe opozitë, që të bëhemi bashkë e t’i lëmë anash ndasitë partiake, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave shtetërore, sepse ndarjet nuk na bëjnë nder asnjërit prej nesh. Situata asnjëherë nuk ka qenë më serioze andaj çdo thyerje dhe pengesë që ne i bëjmë njëri-tjetrit do të na kushtojë me plotësimin e dëshirës së kahmotshme të Vuçiqit dhe Listës Serbe, të cilët me çdo kusht dëshirojnë që në vendin tonë të mos ketë stabilitet e as shtet”, ka shkruar Bahtiri.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.