“Langareci” në krye të Kuvendit që e përçau edhe opozitën - NACIONALE

“Langareci” në krye të Kuvendit që e përçau edhe opozitën

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Në pothuajse secilin postim të tij, ai që do të duhej të ishte figura unifikuese e kryetarit të Kuvendit, eskalonte në fjalor kundër mediave, analistëve, shoqërisë civile e opozitës.

Fjalën që e përdorte më së shumti ishte “Langarecat”, term ofendues që u referohet personave të pandershëm, që shfrytëzojnë të tjerët dhe nuk kanë integritet.

E kur “langareci” Dimal Basha, siç kishte dëshirë t’i quante të tjerët, u ul në karrigen e kryetarit të Kuvendit, kjo shpërfaqi një tjetër përplasje.

Atë brenda opozitës.

Kjo pasi pjesa më e madhe e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së e votuan deputetin kontravers.

Lumir Abdixhiku e quajti gabim të madh votën e këtyre partive në favor të Bashës.

“Është shumë e qartë dallimi vleror që kemi ne me ta edhe sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe përmbajtës së njerëzve që ne besojmë që duhet tu prijnë institucioneve të Kosovës. Ky dallim kristal i qartë sot u kurorëzua me triumf të injorancës, zërit përqarës e ndarës. Shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndjehen të përfaqësuar. E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet sepse është parti institucionaliste por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, tha Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu përgjigj ashpër duke e akuzuar se bllokada i shkon për shtati.

“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës. Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë. Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende. Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir!”, ka shkruar Haradinaj.

Një koment e pati edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Pak dëshiror. Besojmë edhe ne – dritë një ditë do të ketë, por ndonjëherë duhet me kërku dritën. Secili lider politik dhe secila parti politike një kontribut duhet me dhënë në këtë punë. Do të ishte mirë sepse edhe LDK-ja me bagazhin e vet, me kontributin e vet, me atë që e proklamojnë si institucionalizëm do të ishte mirë me qenë kontributdhënëse në daljen nga kriza,” u shpreh Krasniqi në "Rubikon".

Ai shtoi se qëndrimi i LDK-së për të mos u pozicionuar në këtë proces është një vendim i vetë kësaj partie, të cilin ai tha se e respekton.

“Kanë vendos as anej as knej – është çështje e tyre,” tha kreu i PDK-së.

Lajme të ngjashme