Lajçak sot në Beograd, nesër në Prishtinë: Cila është arsyeja e vizitave?
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak sot do të shkojë në Beograd, ndërsa një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq është paralajmëruar për nesër në drekë.
Lajçak do të takohet me Vuçiqin sot në ora 12:30.
Presidenca serbe nuk konfirmoi se do të ketë një konferencë të përbashkët, por tha se pas takimit do të dërgohet një komunikatë për media.
Gjithashtu nuk janë bërë të ditura temat që do të diskutohen, ashtu si arsyeja e vizitës.
Por takimi mbahet pak ditë para se të hyjë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës për përjashtimin e dinarit serb si valutë e përdorshme për transaksione në vend.
Komuniteti ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për këtë vendim, duke i kërkuar Kosovës konsultim me komunitetet. Dje, QUINT-i kërkoi pezullimin e këtij vendimi.
Ndërsa të martën Lajçak, do të vizitojë Prishtinën, konfirmohet nga burimet mirë të informuara në Bruksel.
Lajçak pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka raportuar RTK.
Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë është konfirmuar mbajtja e takimit me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.
Në anën tjetër, pak ditë para se të hyjë në fuqi vendimi për dinarin, QUINT-i doli me komunikatë duke kërkuar shfuqizimin e vendimit.
Në një komunikatë të përbashkët, shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar thanë se pezullimi do të mundësonte një periudhë të mjaftueshme tranzicioni për komunikim të qartë dhe efektiv publik ndërsa theksuan se çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatë.
Është kjo vizita e parë e të dërguarit të veçantë për dialog në këtë vit. Kjo vizitë, gjithashtu, po zhvillohet në periudhën kur procesi i dialogut duket se ka stagnuar.
Pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime ne nivelin më të lartë politik në kuadër të dialogut. Ishte ky takim I cili njëkohësisht shfaqi tensionet mes kryeministrit të Kosovës dhe vet Lajçakut, të cilin ky i pari e akuzoi se e ka humbur neutralitetin.
Vizitat që do t’i bëjë Mirosllav Lajçak, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, do të jetë rast që sërish të kërkohet nga palët që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përfshirë edhe aneksin e saj.