Lajçak për veriun: Eskalimi vazhdon, shoh akte të dhunshme që mund të ndodhin
Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se sheh akte dhunshme që mund të rilindin në veri të vendit, teksa ka paralajmëruar masa ndeshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk deeskalohet situata në veri.
Lajçak tha se Bashkimi Evropian nuk mund të tolerojë asnjë lloj destabiliteti në rajon dhe se koha për deeskalim të situatës në veri të Kosovës është tani.
“Po shoh akte të dhunshme që mund të përsëriten sepse eskalimi vazhdon të ndodhë. Pa një marrëveshje për shtensionim nuk mund të kthehemi tek implementimi i vet dialogut. Jemi në një udhëkryq të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është fatkeqësi që duhet të merremi prapë me menaxhimin e krizave në veri të Kosovës në atë moment kur duhet të fokusohemi në agresionin rus ndaj Ukrainës. Edhe më fatkeqësi është që kriza aktuale po ndodh në një periudhë kur kemi një platformë të qartë për normalizim. Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet që kanë implikime në siguri dhe i shpërqendrojnë nga çështje me rëndësi… Eskalimi i mëtutjeshëm nuk mund të jetë opsion, koha për deeskalim ka ardhur tashmë”, tha Lajçak në konferencën para ministrave të BE-së.
Tutje, ai tregoi çka nënkupton me deeskalim të situatës.
“Kjo kërkon tërheqje të njëkohshme të Policisë dhe të protestuesve nga komunat në veri të Kosovës, kryetarët të punojnë në hapësira alternative, pastaj shpallje të zgjedhjeve të hershme pa parakushte, me pjesëmarrje të serbëve dhe kthim në implementim, që nënkupton përkushtim të besueshëm, duke përfshirë edhe hartimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe, normalisht presim edhe nga Serbia të përmbushë zotimet e veta… Është përgjegjësi e palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionim dhe kjo është në interes të qytetarëve”, theksoi ai.
Emisari evropian tha se dhuna ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve është e papranushme.
“Dhuna ndaj KFOR-it, mediave dhe Policisë është e papranueshme. Ne presim hetime të mirëfillta penale dhe duhet të ketë dënime për të gjithë ata që kryen vepra të tilla”, tha ai.
