Lajçak mbërrin në Qeveri: Pse erdhi? - NACIONALE

Lajçak mbërrin në Qeveri: Pse erdhi?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Tashmë Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, është në Prishtinë. Siç raporton Koha, Lajçak ka mbërritur në objektin e Qeverisë së Kosovës. Lajçaku, sipas të gjitha gjasave, do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, në përpjekje për të përgatitur takimin në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel.

Vizita e Lajçakut vjen në një moment të tensioneve në mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëeve të saj ndërkombëtarë në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit dhe mbylljes së strukturave paralele të Serbisë në veri të vendit.

Vizita e Lajçakut duket të jetë një përpjekje për të rikthyer momentumin e humbur të dialogut në Bruksel, pasi ka një kohë që nuk ka takime të larta në kuadër të procesit dialogues. Në këtë kontekst, Lajçak kishte deklaruar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë se janë “duke e përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh”.

Ndërsa një ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e dha një shpjegim interesant, duke theksuar se të gjitha çështjen duhet të zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha të enjten zëdhënësi i bllokut Peter Stano.

Pse po vjen Lajçak, sipas analistëve?

Në lidhje me vizitën e Lajçakut ka folur edhe Milazim Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, vizita e Lajçakut është vizitë rutinore.

Vizita e Lajçakut me gjasë do të jetë të jetë vizitë rutinë dhe me përpjekje për të mbajtë në këta parametra krizën që ekziston në Kosovë ose eventualisht deeskaluar, por nuk besoj se mund të pritet ndonjë rezultat, sepse të gjithë indikatorët e njohur që janë, tregojnë që momentalisht nuk ka në horizont kurrfarë vullneti për të zgjidhë problemin” - tha Krasniqi në televizionin “Dukagjini”.

Tutje, Krasniqi theksoi se Lajçaku vjen për shkak të krizës dhe jo për shkak të zgjidhjes.

“Unë mbaj mend gjatë vitet 90-të, sa më shumë që vinin emisarë dhe diplomatë të huaj, aq më keq bëhej gjendja dhe shumë herë kështu duhet të lexohen sinjalet e ardhjes. Lajçaku vjen për shkak të krizës dhe jo për shkak të zgjidhjes. Unë besoj që ka zgjidhje, por zgjidhja është shumë më komplekse sesa edhe paraqitet nga faktorët ndërkombëtarë dhe aq më pak nga që paraqitet nga qeveria jonë” – tha Krasniqi.

Ndërsa Augustin Palokaj, korrespondent nga Brukseli i mediumit Koha, ka vlerësuar se Lajçaku po vjen për shkak të zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë.

Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, pritet të jenë temë e diskutimeve. Ndonëse sa i përket vetë takimeve të dialogut, nëse vjen deri te një takim i tillë, atëherë në agjendë mund të futen temat për të cilat pajtohen që të diskutohen të dyja palët. E pala kosovare për disa çështje që lidhen me veriun ka thënë se nuk do të pranojë që ato të diskutohen në dialog. Gjithsesi e kemi të qartë situatën në të cilën jemi. Pakënaqësi e plotë e bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm e Bashkimit Evropian, por edhe e vendeve të QUINT-it e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e në anën tjetër kjo ka sjellë një situatë që nuk diskutohet më në Bruksel për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe kjo po bëhet çështje e brendshme në Kosovë në prag të zgjedhjeve. Presim që Lajçak të diskutojë për këto çështje në Prishtinë, e pas atyre takimeve të shohim a do të ketë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel” – ka thënë Palokaj.

Lajme të ngjashme