“Ky është krim”: Fushata e Trumpit ankohet për parregullsi në Filadelfia
Zyrtarët e fushatës së kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pretenduar se katër punëtorë zgjedhorë republikanë të emëruar nga gjykata janë “bllokuar nga procesi dhe në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë jashtë” një vendvotimi në Filadelfia në mëngjesin e të martës.
“Ky është krim dhe nuk duhet të ndodhë në zgjedhje të drejta dhe të sigurta, siç është premtuar. Kjo është shkelje e papranueshme e besimit publik, duke i minuar transparencën dhe zgjedhjet në Filadelfia” – thanë zyrtarët e fushatës së Trumpit, raporton televizioni BBC.
Në deklaratë thuhet se tre prej katër punëtorëve që ishin nxjerrë jashtë janë kthyer.
“Ne kërkojmë nga [prokurori rajonal] Larry Krasner dhe zyrtarët zgjedhorë që menjëherë të veprojnë dhe t’i lejojnë vëzhguesit tanë të zgjedhjeve në hapësirat zgjedhore. Refuzimi i lejimit të republikanëve në sallë i rrezikon integritetin dhe sigurinë e zgjedhjeve të Pensilvanisë” – thuhet më tej.
Prokurori Krasner do të mbajë një konferencë për gazetarë për të ofruar përditësim të të dhënave rreth procesit zgjedhor në orën 10 e 30 minuta sipas kohës lokale.