“Ky aparat është për me sha rafall”, Berisha thotë se propaganda e VV-së është si “Iron Dome”
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kritikuar ashpër partinë në pushtet për propagandë.
Ai ka thënë se kjo po bëhet përmes aparaturës propagandistike, të cilën, sipas tij, e kanë blerë 6 milionë euro.
Në adresimin e tij para deputetëve, Berisha ka thënë se me këto para do të plotësoheshin të gjitha nevojat e Policisë së Kosovës.
“Pse pozita nuk është këtu? Pse nuk përkrahet policia as edhe me rezolutë? Sepse mendojnë se edhe rrejnë edhe mashtrojnë dhe e marrin votën prapë në sajë të një propagande prej 6 milionësh. Me 6 milionët për propagandë do t’i kryente të gjitha nevojat e policisë”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se përmes propagandës Qeveria Kurti e ka përçarë shoqërinë kosovare.
“Ky aparati i shamjeve që ka krijuar përçarje në popull, është si “Iron Dome” që e kanë bo shtet për siguri. Ky është për me sha rafall. Kaq ka bo kjo qeveri. Ka rrit me sjell përçarje në popull që nuk mbahet mend ndonjëherë. Në vend që këtë aparaturë me ia kthy Serbisë në këtë kohë, ia kthen opozitë”, ka thënë Berisha.