Kuvendi me njoftim për seancën e dështuar, vijon të shtunën më 3 maj, ora 10:00 - NACIONALE

Kuvendi me njoftim për seancën e dështuar, vijon të shtunën më 3 maj, ora 10:00

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka njoftuar për seancën e sotme të konstituimit e cila ka dështuar sërish.

“Pas procedurës së votimit për përbërjen e komisionit, kryesuesi Dehari konstatoi se 55 deputetët kanë votuar për, një kundër, ndërsa nuk ka abstenuar asnjë.

Në këto rrethana seanca u ndërpre, për të vijuar të shtunën, më 3 maj, në orën 10:00.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Albulena Haxhiu vazhdon të mbetet kandidatja pa vota për Kryetare të Kuvendit.

E plotë:

Vazhdimi i seancës konstituive

Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, ka vijuar sot punimet seanca konstituive e Kuvendit.

Në fillim të seancës kryesuesi Dehari tha se pas disa dështimeve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, konkretisht paragrafin 124, ku thuhet se votimi mund të jetë i formës së hapur, i fshehtë apo i çfarëdo forme tjetër, bazuar edhe në Rregulloren e punës së Kuvendit dhe me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit, forma e duhur që mund të hapë rrugën për konstituimin e Kuvendit është votimi në mënyrë të fshehtë, me fletëvotime fizike.

Tutje kryesuesi Dehari ftoi subjektet politike që të propozojnë nga një deputet për anëtar të komisionit të votimit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje u propozua deputeti Hekuran Murati, ndërsa përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, Listës serbe dhe AAK-së kundërshtuan këtë mënyrë të votimit dhe për rrjedhojë nuk propozuan anëtarë të komisionit. Nga KDTP u propozua deputetja Fidan Jilta, ndërsa kryesuesi Dehari lexoi edhe emrat e përfaqësuesve të subjekteve të tjera politike nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht deputetëve Elbert Krasniqi, Emilija Rexhepi, Nenad Rashiq, Rasim Demiri, Veton Berisha, Duda Balje, Artan Asllani, Adem Hoxha dhe Albert Kinolli.

Pas procedurës së votimit për përbërjen e komisionit, kryesuesi Dehari konstatoi se 55 deputetët kanë votuar për, një kundër, ndërsa nuk ka abstenuar asnjë.

Në këto rrethana seanca u ndërpre, për të vijuar të shtunën, më 3 maj, në orën 10:00.

Lajme të ngjashme