Kuvendi mblidhet nesër për konstituim, VV-ja dhe LDK-ja pa marrëveshje - NACIONALE

Kuvendi mblidhet nesër për konstituim, VV-ja dhe LDK-ja pa marrëveshje

1 orë më parë

nga NACIONALE

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 10:00, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend dite janë:

  • Formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve;
  • Betimi i deputetëve;
  • Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit;
  • Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota në këto zgjedhje, po zhvillon bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje politike. Takimet mes dy partive pritet të vazhdojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit.

Këtë e la të kuptohet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të së martës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Do të vazhdojnë takimet me këtë vullnet të mirë, nëse s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar janë zgjedhjet e reja. Prandaj marrim pjesë në takime. Në këtë përpjekje tonën, do të insistojmë që të ruhet demokracia, dhe nëse LDK-ja mund të arrijë partneritet të ndihet e përfaqësuar.

Nëse deri më datë 6 gusht nuk ndodhë asgjë, kemi kërkuar të procedohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse LDK nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit. Për çështje të tjera, kemi afat kohë shtesë, sa më herët, më mirë që bëjmë zgjidhje, sepse Kosova ka shumë përpara”, u shpreh ai.

Pas përfundimit të këtij takimi, Kurti foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se ato “mund të shkaktohen përkundër mosdëshirës”. Ai përmendi edhe seancën konstituive të Kuvendit.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk kemi marrëveshje, përkundër mosdëshirës, ato mund të shkaktohen. Jemi të vetëdijshëm edhe VV edhe LDK. Do të përpiqemi, do të vazhdojmë komunikimin. Meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar, do të mundohemi që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike nesër, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të Kuvendit”, ka thënë ai.

Kurti dhe Abdixhiku u takuan sërish edhe sot, por pa ndonjë zhvillim të ri. Pas takimit, kryeministri në detyrë tha se nuk ka asgjë të re për të njoftuar derisa të arrihet një marrëveshje.

“Nuk kemi lajme, përderisa s’kemi marrëveshje. Po, kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme