Kuvendi mbetet pa kryetar: Murati, Nagavci e Basha pa shumicë votash
Koalicioni Vetëvendosje-Guxo-Alternativa nuk ka arritur as në seancën e sotme të sigurojë shumicën e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kandidati i propozuar nga ky koalicion seancën e kaluar, deputeti Hekuran Murati, mori 55 vota pro, 46 kundër dhe 5 abstenime, rezultat që nuk mjaftoi për t’u zgjedhur në këtë post.
Ish-ministri i Financave dështoi kështu për herë të dytë brenda pak ditësh.
Pas këtij rezultati, koalicioni vendosi të dalë me një emër të ri, duke propozuar deputeten Arberie Nagavci. Megjithatë, edhe ajo arriti vetëm 55 vota pro, duke mos siguruar shumicën e nevojshme.
Nagavci propozoi deputetin Dimal Basha si kandidat të tretë për postin e kryeparlamentarit. Por edhe kjo përpjekje përfundoi pa sukses, pasi Basha nuk arriti të marrë votat e nevojshme.
Për kandidaturën e Bashës, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se kërkesa e grupit të tij parlamentar për një pauzë 10-minutëshe u refuzua pa arsye nga kryesuesi i mbledhjes.
Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10 minutëshe nga kryesuesi i seancës para se të ndodhte ky votim, por edhe këtë herë u injoruam. U munduam ta kemi edhe miratimin e kësaj kërkese, ai e shpërfilli duke mos na e mundësuar fare”.
”Këta janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Sa i përket deputetëve këta janë njerëz që kanë zgjedhë Albin Kurti. 10 minuta mos me t’i miratu së pari është disrespekt”.
Nga ana tjeter, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka theksuar se qëndrimi i partisë së tij mbetet i pandryshuar.
Ai shtoi se LDK nuk do të mbështesë asnjë kandidat të ndonjë partie tjetër, nëse nuk ekziston një marrëveshje politike paraprake.
“Qëndrimi i Lidhjes Demokratike ka qenë dhe mbetet konsistent”, u shpreh Mustafa.
Në lidhje me votën e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili mbështeti kandidaturën e Dimal Bashës të propozuar nga Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, Mustafa tha se ky ishte një vendim i pavarur.
“Për dallim nga shumica tjetër parlamentare Lidhja Demokratike e Kosovës, me të vërtetë është demokratike. Edhe z. Gashi i ka qëndrimet e tij dhe veprimet e tij si deputet”, tha ai.