Kuvendi i Kosovës fillon punimet me një minut heshtje për viktimat e tërmetit në Turqi
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka kërkuar që punimet e seancës së kësaj të mërkure të fillojnë me një minut heshtje për viktimat e tërmetit në Turqi.
“Të nderuar deputet i nderuar Kryeministër, para dy ditësh ndodhi tërmeti tronditës i cili e goditi Turqinë dhe Sirinë. Deri më tash kemi mësuar se 8 mijë veta e kanë humbur jetën si pasojë e këtij tërmeti.
Unë propozoj që këtë seancë ta hapim me një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat që humbën jetën në këtë termet.”- tha Konjufca.
Deputetët e respektuan kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, duke nderuar viktimat e tërmetit të tmerrshëm.
Kujtojmë se ende po vazhdon kërkimi i shumë trupave të njerëzve në Turqi e Siri, pas tërmetit të madh, që ndodhi ditën e henë.