Kuvendi dështon të konstituohet për herë të 52-të, seanca e radhës nesër në orën 14:00 - NACIONALE

Kuvendi dështon të konstituohet për herë të 52-të, seanca e radhës nesër në orën 14:00

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputetët e Kosovës as sot nuk kanë arritur pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit. Edhe në përpjekjen e 52-të është parë skenar i njëjtë.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vazhduar me refuzimin e edhe të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Ai edhe sot ua ka ndërprerë fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët dilnin në foltoren e Kuvendit.

Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 54 vota.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka deklaruar se nesër do te thërras seancën e radhës në ora 14:00.

Ai ka treguar se do ta respektojë masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.

Dje, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, sipas detyrës zyrtare, që seancat e Kuvendit të ndërpriten nga data 27 korrik deri më 8 gusht.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur ex officio masë të përkohshme në rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga: Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është të përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25”, është thënë në njoftimin e gjykatës, duke dhënë detaje tjera.

Gjykata, më 24 korrik 2025, ka vendosur njëzëri: TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025 në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025; T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve; TË PUBLIKOJ këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025. Për të lexuar Vendimin për ex officio masën e përkohshme klikoni”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme