Kush është Kalisi, kandidati më i votuar për bord të RTK-së që kishte sharë mediat për VV-në? - NACIONALE

Kush është Kalisi, kandidati më i votuar për bord të RTK-së që kishte sharë mediat për VV-në?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë dolën votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për kandidatët që kishin aplikuar për t’u bërë anëtarë të bordit të RTK-së. Ajo që ra në sy dhe habiti opinionin është se kandidati që mblodhi më së shumti pikë, ishte vlerësuar si nga pushteti e si nga opozita. Si nga Agim Veliu e si nga deputetë të VV-së. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës sot pritet që t'i votojë kandidatët për Bord të RTK-së

Dhe kjo është e pazakontë në ambientin tonë politik së tepërmi të polarizuar. Në të njëjtin vlerësim, qe ku e shihni ndasinë partiake. Agim Veliu e vlerësoi me 10 pikë kryetarin e bordit të RTK-së, Besnik Boletinin. Time Kadriaj e AAK-së ia dha veç 30. E deputetët e pushtetit në anën tjetër kishim vlerësim maksimal: 100 Nijazi Isaku, 100 Besim Muzaqi, 100 Valon Ramadani e 98 Fitim Haziri.

Njëjtë ilustrohet ndasia edhe me Arta Berishën.

Por, Kalisi e ‘prishi’ krejtësisht ndasinë politike mes partive. S’ekzistonte më VV-ja, LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja. Të gjithë u bënë bashkë. Agim Veliu s’ishte sharë nga VV-ja e s’e kishte sharë VV-në. E kështu me radhë.

100 ia dha Agim Veliu i LDK-së. 100 ia dha Besim Muzaqi i Vetëvendosjes. 95 ia dha Isak Shabani i PDK-së. 99 ia dha Fitim Haziri i Vetëvendosjes. Për ta treguar këtë prishje të vijave partiake na tregon edhe ky fakt: 85 pikë ia dha Tinka Kurti e VV-së, merreni me mend, më pak se deputetët opozitarë Veliu e Shabani.

Por, kush është Mehmet Kalisi që ia doli të prishte vijat partiake të pozitës e opozitës? Që i futi në dashuri të gjithë?

Eh, kjo na bëri shumë shumë kurreshtarë. Kjo sepse ashtu shkarazi ne e njihnim si një nga shumë profilet në Facebook – që ndoshta ishte e ndoshta s’ishte njeri real – që e mbështesnin kryeministrin Kurti. Madje, deri në atë pikë sa do të derdhte edhe gjuhë të urrejtjes ndaj vetë mediave të Kosovës.

Ai jo vetëm që do të krahasonte mediat e Kosovës (të gjitha, pa përjashtim) me mediat e Serbisë. Do të thoshte se ishin më të këqija. Se ndihej më i çliruar kur dëgjonte mediat serbe, përfshirë ato që lidhen direkt me regjimin e Vuçiqit. Pra, jo veç ne në Nacionale, por të gjitha mediumet në Kosovë – krejt, secila – ishin “copë m*ti” që e bënin të ndihej i paçliruar. Ky njeri pra, u vlerësua më së shumti nga deputetët tanë pavarësisht partive politike ku bënin pjesë.

Ne e pyetëm Kalisin se a distancohej nga ajo gjuhë. Fundja, tash mund të futej në bordin më të rëndësishëm të mediave në Kosovë, në atë të RTK-së. Do të paguhej rrastë. Ai u bë së pari sikur nuk e dinte për çka ishte fjala. Na tha t’i dërgonim statusin me “të gjitha të dhënat e nevojshme”. Ia dërguam. Me mirësjellje, na e kërkoi përsëri. Me mirësjellje ia dërguam përsëri. E kështu lart e poshtë derisa

“Titulli i postimit eshte: "piece of shit te gjitha", dhe eshte i ndare nga pjesa tjeter e tekstit, krahasimisht mund edhe te mos kete lidhje me pjesen tjeter te tekstit.

Kjo shprehje do te mund te nenkuptonte opinionin tim per gjendjen aktuale per kohen ne cilen ndodhej vendi, por gjithashtu do te mund nenkuptonte edhe kualitetin e dobet te raportimit te medieve, por asnjehere ne kontekstin e sharjes apo fyerjes. Po ju ve ne dijeni se fraza ne titull eshte ne gjuhen angleze dhe perdoret si (loë quality ose bad thing). Me nje klikim te shpejte ne internet ju mund te gjeni burime kredibile per ta deshmuar vertetesine e pohimit tim sa i perket kuptimit te kesaj fraze dhe konteksteve te perdorimit te saj. Nese ju mendoni se cilesimi i diçkaje si gjë e keqe ose me kualitet te dobet mund te jete fyerje ose sharje, une besoj te kunderten qe kjo eshte ne kuader te shprehjes se lire dhe e bazuar ne vleresimet e mia profesionale.

Sa i perket pjeses tjeter te tekstit, nese ju e shihni krahasimin mes medieve kosovare dhe atyre serbe si fyerje, krahasimi im nuk kishte qellim nje gje te tille. Por ishte nje analize e raportimeve te medieve te dy vendeve, te cilat ishin shikuar nga prizmi profesional i bazuar vetem mbi kritere profesionale dhe etike te raportimit gazetaresk. Tema per te cilen kam shkruar ne kete status ka qene ne lidhje me bisedimet Kosove Serbi, ku une besoj fuqishem se mediet tone posedojne kapacitete te tregojne profesionalizem dhe ndjeshmeri shume me te larte ne raport me interesin nacional.” – ishte përgjigja e tij.

Nejse, duhet ta themi se nuk e njohim aq mirë z. Kalisi. Ky raportim është më shumë një pikëpyetje se sa një pikëçuditëse. Apo ndoshta, pikëpyetje bashkë me pikëçuditëse – ashtu siç i bën Halil Matoshi nëpër statuset e tij?!?!?!

Ne e pyetëm për këtë çështje, Ricardo Gutierrezin, kryetarin e Federatës Evropiane të Gazetarëve. Ai po ashtu shprehu dyshime për Kalisin.

“...kam disa dyshime për kandidatin më të favorizuar nga partitë politike, Mehmet Kalisin, që është një person i cili publikisht e ka mbështetur partinë në pushtet dhe kryeministrin e Kosovës. Propozimi i tij për të krijuar një agjenci shtetërore të lajmeve brenda transmetuesit publik është projekt i rrezikshëm. Televizioni publik i përket krejt qytetarëve, jo shtetit. Mendoj që kandidati me plane të tilla nuk duhet të bëhet anëtar i bordit të RTK-së.” – na tha kreu i Federatës Evropiane të Gazetarëve,

Por, të pyesim sërish: kush është Mehmet Kalisi?

Në bazë të postimeve nga llogaria e tij në Facebook, z. Kalisi del se është goxha i zëshëm për të shprehur edhe qëndrime të ndryshme politike.

Ta zëmë, përveç mbështetës i kryeministrit Kurti – siç tha edhe Ricardo Gutierrez – Kalisi del të jetë mbështetës edhe i liderit autoritar turk Rexhep Tajip Erdogan. Pas fitores së këtij të fundit dhe partisë së tij në zgjedhjet e fundit, ai do të shprehej se Turqia e kishte dëshmuar se kishte “një demokraci jashtëzakonisht të konsoliduar”. Jashtëzakonisht pra. Jashtë të zakonshmes. Nëse demokracia amerikane ishte e konsoliduar zakonshëm, ajo e Turqisë ishte e konsoliduar jashtëzakonshëm.

E përveç Kurtit e Erdoganit, ai kërkonte që të votohej edhe Donald Trumpi për një mandat të dyti si president i ShBA-ve në vitin 2020. Pra, Kurti, Erdogani e Trumpi. Çka t’i themi kësaj? Boshti i së mirës globale? T’i përsërisim ato pikëpyetje-pikëçuditëset e Halil Matoshit.

E një tjetër pikëpyetje-pikëçuditje shkakton edhe një status tjetër. Më 15 shkurt të këtij viti, Kalisi do të dilte në një protestë kundër Zajednicës. 16-17 ditë më herët, megjithatë, ai shprehej se Zajednica nuk ishte projekt serb por ishte projekt perëndimor.

“Wtf”? – do të mund të thoshte Edi Rama.

E ndërkohë, Kalisi del se ishte edhe trim me fletë. Pasi Albin Kurti i kishte prezantuar disa dronë, Kalisi do të shkruante edhe këta rreshta: “Beogradi është vetëm 400km larg Prishtinës, me këta dronë Beogradin e kemi shumë më afër.” A po propozon kandidati më i votuar për anëtar bordi në RTK që ta pushtojmë Beogradin?

Nejse, po e përmbyllim me disa fjalë tjera që na i tha Ricardo Gutierrez.

“I bëj thirrje Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti që të anulojë procesin aktual të zgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe të sigurohet që individë si z. Kalisi apo të tjetër që janë të lidhur me partinë në pushtet të mbahen larg bordit të RTK-së...

I kujtoj z. Kurti që puna e mirë e bërë nga partia e tij në zgjedhjen e bordit të transmetuesit publik dy vjet më parë u komprometua kur Rilind Gërvalla, person i lidhur ngushtë me Vetëvendosjen, u zgjodh drejtor i televizionit publik. Autoritetet publike duhet të shmangin politizimin e mëtejmë të RTK-së. Kjo është në të mirë të qytetarëve të Kosovës.”

S’kemi diçka tjetër për Kalisin. Ndoshta veç edhe një pikëpyetje dhe një pikëçuditëse për fund.

Lajme të ngjashme