Kurtit ia zënë “rëndë” derën ambasadorët e QUINT-it, përfshirë edhe Turqisë – priten deklarime për media
Çështja e dinarit dhe disa zyreve të paligjshme serbe në Kosovë të mbyllura kohëve të fundit nën iniciativën e Ministrisë së Brendshme – dhe qëndrimi kokëfort i asaj linje të ndalimit të valutës serbe me doemos shpejtë dhe pa ofruar kohë optimale adoptimi për komunitetin serb – ka bërë që mbarë shtetet e QUINT-it, dhe jo vetëm, t’i shkojnë sërish në zyrë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Momentalisht para Qeverisë së Kosovës janë të parkuar veturat e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë, Francës, Turqisë, si dhe një veturë me targa të Beogradit por me flamur të Rumunisë. Takimi i jashtëzakonshëm i QUINT-it me Kurtin po zgjat ende, ndërsa supozohej që të përfundonte në ora 11:30.


Ambasadori amerikan pritet që të adresohet për media pas takimit derisa është duke u pritur nga një numër i madh gazetarësh.
Hovenier parmbrëmë ka lëshuar një komunikatë tejet të rreptë për shtyp ku u shpreh "thellësisht i shqetësuar" me zbatimin e Rregullores së re të BQK-së për ndalim të dinarit, siç kanë thanë ata, pa ofruar një periudhë të kënaqshme kohore për adoptimin e komunitetit serb që afektohet si dhe kanë kërkuar që një veturë të konfiskuar që po barte para në dinarë, t'u kthehet atyre për të cilët ishte destinuar.
Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj zhvillimeve, duke i qujtur "hedhje benzinë zjarrit" dhe se veprimet e qeverisë kosovare "janë e kundërta e shtensionimit".
BE-ja djke në një reagim është shprehur se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi BE.
Lëvizja Vetëvendosje dje lëshoi një komunikatë ku e listoi si të arritur të tyre "heqjen e dinarit të Serbisë" nga qarkullimi në Kosovë, kësisoji duke treguar se nuk planifikojnë të përfillin kërkesat e aleatëve perëndimorë për të ofruar një periudhë tranzitore në një zbatim të butë të kësaj politike, që, sipas tyre, supozohet të jetë shtrirje e sovranitetit monetar.
Serbia, në anën tjetër, sot ka njoftuar se do të kërkojë seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.
Lajmi në përditësim...