Kurtit i bën zhurmë 'hillti' në Intervistë: Shprehet çuditshëm e pa koncentrim - NACIONALE

Kurtit i bën zhurmë 'hillti' në Intervistë: Shprehet çuditshëm e pa koncentrim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me rastin e një-vjetorit të votimit të Qeverisë Kurti II, Albin Kurti e dha një intervistë në televizionin publik ku foli për punën e bërë gjatë kësaj kohe.

Kryeministri në këtë intervistë dukej më i lodhur e me ton më të butë se sa rrafsh para një viti, më 22 mars 2021, kur kishte bërë ekspozenë e tij në Kuvend për të marrë mandatin.

Ai e përshkroi veten si “punëtor me ‘hillt’”, ani pse nuk dha ndonjë shpjegim të mëtejmë për arsyet e këtij imazhi për veten. Punëtorin me ‘hillt’ ai e përmendi disa herë gjatë kësaj interviste, madje edhe duke e arsyetuar përmes tij skandalin e zëvendësit të tij, Besnik Bislimit, që ishte përgënjeshtruar nga njeriu i dytë i Këshillit të Evropës para një jave.

Kryeministri, kësaj here, ishte më i kursyer në lëvdatat që i thurte qeverisë që drejton.

“I kam pyetur në kabinetin tim nëse e dinin që Vladimir Putini ka qenë në Kosovë, asnjëri nuk e dinte,” – tha z. Kurti derisa fliste për zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe ndërlidhjen e tyre me Kosovën. Një gjë të tillë e di shumica e qytetarëve të Kosovës, por për çudi jo edhe qeveritarët e tyre.

Sidoqoftë, ajo që la përshtypje në paraqitjen e sotme të kryeministrit ishin disa deklarata që mund t’i klasifikojmë si “të përçudshme”, e pakta. E gjithë kjo, mbase, duke dashur të ndërtojë dramaticitet.

“(Në kohën e aksionit në Veri) E hapa një portal (të Kosovës) dhe e pashë një titull “Serbët nuk zmbrapsen”. Kujt po i thua “serbët nuk zmbrapsen”, policit të Kosovës a?” - tha Kurti. Menjëherë, me kureshtje ne në Nacionale e kërkuam në makinën kërkimore Google lajmin në fjalë por nuk e gjetëm. Nuk kishte ndonjë lajm nga portalet e mëhershme që thoshte “serbët nuk zmbrapsen”, e në fakt ata që shfaqeshin ishin “serbët zmbrapsen”. Mund ta bëni edhe ju, lexues të dashur, një gjë të tillë.

Një tjetër deklaratë interesante ishte edhe ajo për pozitën e kryeprokurorit.

“Më e rëndësishme është zgjedhja e kryeprokurorit të ri, se sa zgjedhja ime si kryeministër,” – u shpreh kryeministër Kurti duke folur për procesin përzgjedhës të cilit i janë nënshtruar kandidatët për kryeprokuror.

Shprehje e modestisë? Lodhje apo mërzi nga punët e përditshme që ka si kryeministër? Çka shprehte saktësisht kjo deklaratë e kryeministrit që shihte veten si “punëtor me hillt” është e vështirë të thuhet.

Deklaratë tjetër e çuditshme e bërë nga Kurti ishte edhe ajo për vaksinat.

“Ka pasë propagandë kundër vaksinave në Kosovë... po ka pasë propagandë në rrjete sociale kundër vaksinave.” – këmbënguli kryeministri pas dyshimit të gazetarit.

Si të komentohet kjo deklaratë? Në fakt, ka pasur deklarata nga individë të ndryshëm që kanë shprehur dyshime te vaksinat, madje në mënyrë të hapur, por ata nuk kanë qenë të krahasueshëm me fushatën e madhe të bërë nga mediat për vaksinim. Në anën tjetër, asnjë medium nuk është vërejtur se ka bërë fushatë për të kundërtën.

Një tjetër deklaratë e pakuptueshme nga kryeministri e që shprehte më shumë lodhjen e tij – shpresojmë thjesht me ditën dhe jo me krejt punën – ishte edhe ajo për Kodin Civil.

I pyetur nga gazetari nëse Projekt-kodi civil do të “ecë përpara” në Kuvend, ai u përgjigj:

“Kodi civil ecën përpara nëse votohet në Kuvend, nëse nuk votohet në Kuvend nuk ecën përpara,”

Sa i përket anëtarësimit të mundshëm në NATO, kryeministri tha se jo vetëm NATO-ja mbronte Kosovën por edhe Kosova mbronte NATO-n. Kjo deklaratë tashmë është bërë e bujshme në rrjete sociale.

Kryeministri edhe një herë u kujdes të mos thoshte shumë sa i përket liderëve të UÇK-së që po mbahen të paraburgosur në Hagë. Pasi denoncoi zgjatjen e paraburgimit të tyre, ai megjithatë pati një episod të shkurtër që mund të bëhet domethënës në muajt në vijim.

“Unë shumë prej tyre i kam pasur kundërshtarë politikë – nuk e di çka mendojnë ata për mua – por ky paraburgim është i dëmshëm!”

Pse duhet të ketë rëndësi se çka mendon Thaçi me Veselin për Kurtin që Kurti të thotë atë që mendon më me drejtpërdrejtësi për Kurtin? Në këtë pyetje ftojmë lexuesin të japë përgjigjen e tij, cilado qoftë ai.

Megjithatë, kryeministri u bashkua me gazetën Nacionale në denoncimin e gjuhës së shefit të stafit të tij ndaj medieve dhe gazetarëve.

“Unë nuk kisha dashur që të gjitha mediat të cilësohen si të njëjta, sepse nuk janë. Por, ka edhe media që kanë tendenca dhe e kanë për qëllim të bëjnë denigrimin e tyre.”

Deklaratë e mirë nëse nuk do të kishte fjalinë që niste me “por”.

Lajme të ngjashme