Kurti: Walker pati kurajën ta përshkruante atë që pa në Reçak
Në ceremoninë përkujtimore në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalën e tij theksoi se e vërteta për këtë krim që serbët e kryen në Kosovë nuk do të fshihet asnjëherë.
“Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme si Masakra e Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj sikur që ka bërë Serbia që nga dita e parë e Masakres e deri më sot, duke i mohuar e duke u munduar ta falsifikojë këtë masakër”, ka thënë Kurti
Kurti përmendi edhe deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuciq për këtë punë.
“Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se kjo masakër është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq dy vjet më vonë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq e përsërit atë që e ka thënë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim”, tha Kurti.
Meritat për ndryshim të qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare në raport me atë se çfarë bënte Serbia në Kosovë, sipas Kurtit i ka ambasadori amerikan, William Walker.
“Ajo u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe më të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s e cila do të vinte pas dy muajsh. Për këtë meritat më së shumti i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte misionin verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai pati kurajën ta përshkruante atë që pa me emër të vërtetë – që ajo ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit. Sot 24-vjet më pas ai po e shkruan një libër për masakrën e Reçakut dhe besoj se ai do ta monumentalizojë në tekst përvojën e tij profesionale dhe personale në një deklaratë publike e thënë një ditë pas masakrës së Reçakut. I jemi gjithmonë mirënjohës ambasadorit Ëalker që në një kohë kur kishte pak zëra që flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën në diskursin ndërkombëtar, ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë duke folur jo thjeshtë me gjuhë diplomatike, por edhe me një gjë të kulluar”, ka thënë më tej Kurti.