Kurti: Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në veri e domosdoshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja - NACIONALE

Kurti: Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në veri e domosdoshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për situatën në veri.

I pari i qeverisë kosovare ia ka rikujtuar diplomatit britanik se sundimi i ligjit duhet të jetë parim bazë për të ecur përpara.

Sipas komunikatës të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka vlerësuar se kusht për mbajtjen e zgjedhjeve në veri është largimi i elementeve kriminale nga ajo pjesë.

“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugë përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu, kryeministri ka falënderuar ambasadorin Abbott për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

Qeveria ka treguar se diplomatin britanik kryeministri e ka takuar pas telefonatës që ka pasur me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Lajme të ngjashme