Kurti u lavdërua me të, por Weller e kishte përkrahur Demarkacionin me Malin e Zi
Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht po e lavdëron profesorin Marc Weller, i cili është këshilltar i Qeverisë për procesin e dialogut me Serbinë. Edhe dje në Kuvend tha se gjatë bisedimeve në takimin e Ohrit ka diskutuar vetëm më të.
Madje, ai ka treguar se më shumë ka qëndruar me të se me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Kryeministri Kurti duket se ka harruar që Weller në vitin 2016 e kishte përkrahur Demarkacionin me Malin e Zi, të cilin Kurti e kundërshtonte me protesta në rrugë e me gazë lotsjellës në Kuvend.
Në një opinion ligjor të titulluar “Vlefshmëria e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi”, profesori Marc Weller argumentonte se kundërshtuesit e marrëveshjes së demarkacionit e kishin gabim.
Sipas tij, gjetjet e Komisionit Shtetëror për Shenjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ishin të vlefshme.
“Kufijtë nuk vendosen nga gjeografia, ato vendosen nga burrat dhe gratë. Ose, për të qenë më të saktë, kufijtë vendosen nga ata burra dhe gra që veprojnë në emër të shtetit—veprimet e të cilave janë manifestim i vullnetit të të shteteve. Në rastin specifik, ekzistojnë kujtime për luftëtarë heroik të cilët kanë mbrojtur njërën apo tjetrën anë të territorit para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ekziston një traditë e gjatë dhe e gjallë e përdorimit të tokës nga ana e Kosovës për kullotje dhe e përdorimit të resurseve të pyjeve, lumenjve, dhe liqeneve. Dhe gjithashtu ekzistojnë edhe argumente të bazuara në gjeografi natyrale, siç janë vendndodhjet e ujëndarësve dhe pellgjeve përgjatë kurrizit të kreshtave të mëdha malore. Të gjithë këta faktorë dhe përvoja janë të kapshme dhe reale”, kishte vlerësuar ai, shkruan gazeta Nacionale.
Sipas tij, në përcaktimin e kufirit duhet të merren parasysh edhe elemente tjera.
“Megjithatë, në mënyrë që të përcaktohet një kufi, një element tjetër shtesë duhet t’i shtohet këtij. Konflikti i armatosur mbi një territor mund të ketë një rezultat në terren, por në mënyrë që ai rezultat t’i qëndrojë dhe mbijetojë historisë, ky rezultat duhet të ri-hidhet në një marrëveshje paqësore apo kufitare në përfundim të këtij konflikti. Përdorimi i tokës nga individë privatë, apo madje pronësia private mbi një tokë nuk është e barasvlershme me pretendimet për territorin apo fletën poseduese të atij territori nga ana e shtetit amë. Gjeografia natyrale mund të ndikojë në atë se ku jetojnë njerëzit, si ndërveprojnë ata apo madje edhe në formën e organizimeve politike që ata zhvillojnë. Por në fund, është mu përdorimi i karakteristikave të tilla në funksion si shërbyes të vullnetit të burrave dhe grave në krye të shtetit që përcakton kufirin aktual”, kishte shkruara ai.
Hartat e NATO-së ishin të sakta
Një element tjetër që Weller e kishte cekur në opinionin e tij ishte edhe çështja e hartave.
Derisa kundërshtuesit e demarkacionit përdorini disa atlas dhe harta të vjetra, profesori i të drejtës ndërkombëtare kishte vlerësuar se hartat që ishin përdorur nga NATO edhe për Marrëveshjen e Kumanovës ishin të sakta.
“Ajo hartë, që më vonë do t’i shërbente NATO-së gjatë zbarkimit të saj në Kosovë (KFOR) dhe do të shfrytëzohej nga ana e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), vendosi një vijë kufitare me Malin e Zi që pasqyrohet tërësisht në atë të Komisionit Shtetëror në raportin e tij. Më 26 mars të vitit 2007, i Dërguari i Posaçëm i OKB-ve Martti Ahtisaari prezantoi propozimin e tij për zgjidhjen e statusit final të Kosovës para Këshillit të Sigurimit të OKB-ve. Propozimi përfshinte, në Nenin 1 (8) dispozitën në vijim: Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj, dhe nuk do të kërkojë bashkim me asnjë, shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, ka shkruar ai, duke përmendur edhe elemente tjera.
“Neni 3.2 i Aneksit VIII (Sektori i Sigurisë së Kosovës) i propozimit adreson çështjen e kufirit të Kosovës. Neni thotë: Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001”, ka shkruar Weller.
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Kushtetuese në Universitetin e Kembrixhit, Marc Weller, ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës edhe në Rambuje.