Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Koordinim Politik dhe Evropë: Rikonfirmohet mbështetja për liberalizimin e vizave
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, janë takuar në Shtutgart me Florian Hassler, Sekretarin e Shtetit për Koordinimin Politik dhe Evropën në Baden-Vyrtemberg.
Ata diskutuan për rëndësinë e diasporës, integrimin evropian të Kosovës dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Hassler për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për përgatitjet për pranimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ai po ashtu ka thënë se Republika e Kosovës aspiron të anëtarësohet në NATO.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi synimet dhe perspektivat e Qeverisë për investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe projektet infrastrukturore.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Sekretari Hassler tha se e mbështesin Kosovën në këtë proces, duke besuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.