Kurti shkon edhe më tej, i qet katër kërkesa për Serbinë dhe i thekson hapat e tij - NACIONALE

Kurti shkon edhe më tej, i qet katër kërkesa për Serbinë dhe i thekson hapat e tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ngjarjet në veri, duke thënë se vendi ynë është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim të situatës. Kurti ka prezantuar katër pika për de-eskalimi për Kosovën dhe katër tjera për Serbinë, e të cilat pretendon se i kishte deklaruar në Bruksel.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka prezantuar hapat për të cilat ka thënë se “hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim,”

“1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; 2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; 3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja; 4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.” – janë katër hapat që ka prezantuar Kurti.

Ai më tej ka prezantuar edhe hapat që duhet t’i ndërmarrë Serbia, ku përfshihen edhe heqja e 48 bazave operative përgjatë kufirit dhe mos-ndërhyrja në zgjedhjet e reja.

“1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre; 2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë; 3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. 4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.” – ka shkruar tutje Kurti.

Kryeministri i Kosovës edhe më herët e kishte prezantuar një propozim pesë-pikësh por i cili nuk ishte përfillur nga ana e Bashkimit Evropian. BE-ja vetë e kishte prezantuar një propozim tre-pikësh, ku përfshihej mbajtja e zgjedhjeve të reja, tërheqja e njësisë speciale dhe kthimi në dialog.

Lajme të ngjashme