Kurti: Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë e Kosovës - NACIONALE

Kurti: Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë e Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për vendet që e pengojnë projektin e ashtuquajtur “bota serbe”.

Gjatë një fjalimit të mbajtur, që u organizua nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, Kurti përveç Kosovës, përmendi edhe Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën si vende që ngacmohen nga Serbia.

“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të ‘Serbisë së Madhe’, që tani e quajnë ‘bota serbe’, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës.” – ka thënë ndër të tjera Kurti, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Ai gjatë fjalimit, foli për progresin e vendit viteve të fundit në rrafshin ekonomik, masat e punësimit dhe uljen e papunësisë nga 25.8% në 10.7%, për përparimin e bërë në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit, dhe përmirësimin në respektimin e të lirive civile dhe të drejtave politike.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që Zvicra të vazhdojë të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunime multilaterale, që për shtete si ne janë esenciale për të arritur qëllimet ekonomike dhe të sigurisë.

Kurti gjithashtu shprehu falënderimin e tij ndaj gjithë atyre që kanë avokuar dhe vazhdojnë të avokojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata në të cilat nuk është ende anëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.

Lajme të ngjashme