Kurti para takimit: Jam optimist, do të bëjmë më të mirën për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist për takimin që do ta ketë sot me presidentin serb Aleksader Vuçiq.
Pas takimit që pati me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, Kurti ka thënë se do ta bëj më të mirën për Kosovën.
“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti, raporton Klan Kosova.
Ai ka deklaruar se Kosova është e interesuar për marrëveshje.
“Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”, është shprehur Kurti.
Ai ka treguar për takimet e shumta që ka pasur sot.
“Ditën e filluam me kryetarin Ali Ahmeti, pastaj me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, e tash edhe me emisarin e posaçëm për Ballkanin, zotin Escobar nga DASH. Nga këtu do të shkojë në takim me presidentin Pendarovski, e më pastaj kemi takime bilaterale me ndërmjetësit evropian, me Borrellin dhe Lajçakun, që i paraprin takimit trilateral”, ka thënë Kurti.