Kurti: Manovër e Beogradit, vendimi ynë për targat, sapo ta vërtetojmë që Serbia po e zbaton
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka folur për vendimin e Serbisë për njohjen e targave RKS, duke thënë se Kosova do ta marrë vendimin për zbatimin e marrëveshjes për targat, kur të vërtetohet se Serbia është duke e zbatuar vendimin e saj.
Kurti ka thënë se targat po përdorën për të ulur presionin e Perëndimit mbi Serbinë dhe se kjo është një manovër e radhës e Serbisë.
“Targat në Kosovë, në shtator të 2021-s, përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG 29 të ngritur në qiell përreth kufirit e për të tentuar destabilizim në veri, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave që ishin ngritur rrugëve të komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar, kurse në dhjetor sivjet po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (BE-SHBA) mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”, ka thënë Kurti, duke treguar se si duhet të lexohet ky veprim i Serisë.
“Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit, mbi bazën e shkronjës dhe frymës së marrëveshjes bazike, është manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, insistimi i Kosovës në zbatimi e kësaj marrëveshje ka pasur të bëj me parimin e reciprocitetit.
“Qëndrimi ynë për targat ka qenë në parimin e reciprocitetit, të jetë parimor dhe konstruktiv. Vendimin tonë të barasvlershëm do ta marrim sapo që policia jonë kufitare ta vërtetojë që Serbia po e zbaton pa pengesa vendimin e saj” – ka paralajmëruar Kurti.
Qëndrimi i Serbisë për targat
Në orët e vona të së hënës, krynegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, njoftoi se nisur që nga 1 janari targat e Republikës së Kosovës (RKS) do të mund të udhëtojnë lirshëm në dhe nëpërmjet Serbisë.
Këtë vendim, njoftoi Petkoviq, e ka nxjerr Qeveria e Serbisë – por, jo si ekskluzivisht të saj, por si marrëveshje të negociuar nga qeveritë paraprake; peshën e fajit duke ia bartur një pararendësi të hershëm të tij, Borko Stefanoviq.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”, tha Petkoviq, sipas "Tanjug".
Disa ditë më parë, në një konferencë për media, presidenti serb Aleksnder Vuçiq kishte paralajmëruar se Serbia do të nis të zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja Bazike dhe ajo e Anekist Zbatues të Ohrit.
“Për sa i përket gjërave të ndryshme që kemi bërë tashmë, nga letënjoftimet te targat, e deri te gjithçka tjetër, në mënyra të ndryshme, gjithmonë jemi përpjekur të arrijmë një kompromis. Ne do të bëjmë maksimumin në të ardhmen. Dhe ne gjithmonë kemi thënë se jemi për një Ballkan të hapur, se nuk kemi asnjë problem me këtë, por se gjithmonë do të postojmë të ashtuquajturat ‘disclaimers’, të cilat do t'ua bëjnë të qartë të gjithëve se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, pati thënë Vuçiq.