Kurti flet për rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën në diskutimin “Plan për Paqe”
Kryeministri i vendit, Albin Kuri ka marrë pjesë si mysafir në diskutimin e organizuar nga organizata nga Mbretëria e Bashkuar, Plan për Paqe (Plan for Peace) dhe qendra Barabar me titull “Kapërcimi i ndarjes: një bisedë e guximshme”.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, ku Kurti foli shkurtimisht mbi rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën.
Zyra e Kryeministri në komunikatën për media ka njoftuar se Kurti ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të suksesshme, duke qenë proces i shërimit dhe mekanizëm i shëndetshëm për përparim shoqëror dhe njerëzor. Ajo është e drejtë individuale e viktimës dhe familjes dhe e drejtë kolektive, por obligim i shtetit dhe qeverisë që të sigurojë që kjo e drejtë të mundësohet dhe realizohet.
“Kjo do të thotë që institucionet kanë obligim të dokumentojnë krimet përmes instituteve e muzeve të cilat shërbejnë si instrumente të kujtesës kolektive për gjeneratat e ardhshme dhe që ndihmojnë në ngushëllimin e viktimave duke u siguruar atyre që dhimbjet e tyre nuk do të harrohen” – ka shkruar kryeministri Kurti.
Në lidhje me përgjegjësitë e institucioneve, kryeministri Kurti nënvizoi se jemi në finalizim e sipër të Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, po themelojmë Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë lutës në Kosovë, teksa kemi rritur buxhetin e zyrës së Prokurorit Special në departamentin e krimeve të luftës në mënyrë që të rriten kapacitetet njerëzore dhe profesionale, dhe kemi plotësuar kornizën ligjore që mundëson gjykimin në mungesë për krime të luftës në përputhje me standarde ndërkombëtare si dhe kemi dyfishuar numrin e hetuesve të krimeve të luftës në Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës.
Dy çështje tjera që kryeministri Kurti i veçoi në fjalën e tij dhe për të cilat tha se janë në fokusin e Qeverisë, janë dhuna seksuale gjatë luftës dhe të zhdukurit me dhunë.


