Kurti flet për normalizimin më 2024: Kosovës t'i hiqen masat, Serbia të sanksionohet
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, pak më parë ka publikuar një shkrim relativisht të gjatë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve drejt vitit 2024. Në shkrimin e tij, ai ka renditur shtatë çështje, duke theksuar se prioritet absolut i Qeverisë është siguria për Kosovën. Por çfarë shkroi tjetër Kurti?
Që në hyrje, Kurti flet për prioritetin absolut, e që lidhet me sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kërkuar që Milan Radojiçiqi, njeriu që e pranoi se ishte prapa sulmit më 24 shtator në Banjskë.
“1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.
2) Konluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës." - shkroi Kurti.
Në vazhdim, shefi i ekzekutivit deklaron se shpreson që BE-ja dhe ShBA-ja të sanksionojë Serbinë.
“3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).” – shkroi tutje Kurti.
Në paragrafin pasues, ai ka renditur kërkesën e tij që Kosovës t’i hiqen masat.
“4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.” – vazhdon Kurti.
Natyrisht, Kurti foli edhe për draft-statuin e Asocacionit, duke ironizuar me një deklaratë të Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së.
“5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).” – shkroi ai.
Kurti sërish e përmendi edhe çështjen e nënshkrimit të marrëveshjeve të arritura gjatë këtij viti.
“6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.” – shkroi ai.
Në pikën e fundit, pra në pikën e shtatit, Kurti e këshillon BE-në.
“7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.” – përfundon shkrimi i Kurtit.